Bien çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare, pritet rritja e prodhimit
Çmimet e naftës ranë për gati 2 për qind të hënën, pasi planet e organizatës së vendeve prodhuese OPEC+ për një rritje tjetër të prodhimit në nëntor dhe rinisja e eksporteve të naftës nga rajoni kurd i Irakut përmes Turqisë i shtuan pritjet për dërgesa më të mëdha globale.
Çmimi i një fuçie naftë të papërpunuar në bursën “Brent” shënoi rënie për 1,8 për qind dhe ra në 68,87 dollarë.
Çmimi për një fuçi naftë të papërpunuar në bursën “West Texas Intermediate” ra për 2 për qind, në 64,36 dollarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vendet prodhuese të naftës në organizatën OPEC dhe aleatët e tyre pritet që të miratojnë një rritje tjetër të prodhimit të naftës së papërpunuar në takimin që do të mbahet të dielën.
Grupi pritet që të konfirmojë një rritje për të paktën 137 mijë fuçish në ditë për muajin nëntor, thanë tri burime.
Sidoqoftë, vendet e organizatës OPEC+ kanë qenë duke prodhuar gati 500 mijë fuçi naftë në ditë më pak se caqet, duke iu kundërvënë pritjeve të tregut për tepricë furnizimi.
Të shtunën filloi rrjedhja e naftës së papërpunuar nëpër një naftësjellës nga rajoni gjysmautonom i Kurdistanit në veri të Irakut drejt Turqisë për herë të parë në dy vjet e gjysmë, tha Ministria e Naftës e Irakut.
Dy burime të industrisë i thanë agjencisë “Reuters” të hënën se rrjedhja e naftës së papërpunuar nga Kurdistani irakian në portin Ceyhan të Turqisë po bëhet me kapacitet prej 150.000 deri në 160.000 fuçi në ditë.
Rinisja e këtij qarkullimi pritet që në fund të rikthejë deri në 230.000 fuçi të naftës së papërpunuar në ditë në tregjet ndërkombëtare./Nacionale