Bideni thotë se vrasja e Haniyeh-ut nuk sjell dobi për bisedimet e armëpushimit - NACIONALE

Bideni thotë se vrasja e Haniyeh-ut nuk sjell dobi për bisedimet e armëpushimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se vrasja e udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, nuk është e dobishme për arritjen e një armëpushimi në luftën e Izraelit në Gaza.

Ka pasur rrezik të shtuar për eskalim në një luftë më të gjerë në Lindje të Mesme, pasi vrasja e figurës së lartë të Hamasit në Iran nxiti kërcënime të reja për hakmarrje kundër Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.

Hamasi dhe Rojat Revolucionare të Iranit e kanë konfirmuar vdekjen e Haniyeh-ut, i cili kishte marrë pjesë në bisedime të tërthorta të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për arritjen e një armëpushimi në Gaza.

Banorë në ankth në Gazën e rrethuar nga Izraeli të mërkurën shprehën frikë se vrasja e kreut të Hamasit do ta zgjaste luftën.

“Ajo nuk ndihmon” – iu tha Bideni gazetarëve të enjten vonë, kur u pyet nëse vrasja e Haniyeh-ut i prish gjasat për një marrëveshje armëpushimi.

Presidenti amerikan gjithashtu tha se kishte zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, më herët të enjten.

Qeveria izraelite nuk ka bërë pretendim publik për vrasjen, por ka thënë se Izraeli u ka dhënë goditje shtypëse prokurave të Iranit, përfshirë Hamasin e Hezbollahun, dhe se do të përgjigjet me forcë kundër çfarëdo sulmi.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se gati 40 mijë palestinezë janë vrarë nga fillimi i luftës në tetor, ndërsa pothuajse tërë popullsia prej 2,3 milionësh në enklavë është zhvendosur, duke shkaktuar krizë ushqimore e duke nxitur akuza për gjenocid, të cilat Izraeli i mohon./Nacionale

Lajme të ngjashme