Bideni thotë se sulmet me raketa në Ukrainë tregojnë që Putini duhet të ndalet - NACIONALE

Bideni thotë se sulmet me raketa në Ukrainë tregojnë që Putini duhet të ndalet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i quajti sulmet e reja ruse me raketa ndaj Ukrainës “rikujtim i qartë” që presidenti rus, Vladimir Putin, mbetet i përkushtuar ndaj shkatërrimit të Ukrainës dhe se “ai duhet të ndalet”.

Në një deklaratë të lëshuar gjatë vaksinimit në St. Croix, Bideni tha se sulmet gjatë natës, nga të cilat u vranë 31 persona e u plagosën mbi 120 të tjerë në mbarë Ukrainën, ishin sulmi më i madh ajror që nga nisja e pushtimit në shkurt të vitit 2022, raporton agjencia “Reuters”.

“Është një rikujtim i qartë për botën që, pas gati dy vjetëve të kësaj lufte shkatërruese, objektivi i Putinit mbetet i pandryshuar. Ai synon që ta shuajë Ukrainën dhe ta nënshtrojë popullin e saj. Ai duhet të ndalet”- shtoi presidenti amerikan.

“Nëse Kongresi nuk ndërmerr veprim urgjent në vitin e ri, ne nuk do të mund ta vazhdojmë dërgimin e armëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore për të cilat Ukraina ka nevojë që ta mbrojë popullin e vet. Kongresi duhet të ngrihet dhe të veprojë pa asnjë vonesë të mëtejme”- tha më tej Bideni.

Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se do të ofrojnë deri në 250 milionë dollarë armë e pajisje për Ukrainën përmes pakos së fundit të ndihmave për këtë vit, përderisa zyrtarët më të lartë vazhduan që t’u bënin thirrje ligjvënësve për të miratuar 61 miliardë dollarë të tjerë për ndihma për Kievin.

Republikanët po refuzojnë që t’i miratojnë ndihmat e kërkuara nga Bideni derisa demokratët të pajtohen për t’i ashpërsuar masat e sigurisë në kufirin ShBA – Meksikë.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se pa ndarjen shtesë, ndihmat e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën do të përfundojnë në fund të këtij viti.

Kongresi ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus, por nuk ka miratuar asnjë fond që nga marrja e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët në janar të këtij viti.

Bideni thotë se gjatë kësaj lufte në pyetje janë çështje shumë përtej Ukrainës dhe se bëhet fjalë për tërë aleancën e NATO-s e sigurinë e Evropës. Ai ka paralajmëruar edhe për rreziqet ndaj Shteteve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme