Bideni thotë se lufta në Gaza duhet të kryhet tani dhe Izraeli s'duhet ta pushtojë enklavën - NACIONALE

Bideni thotë se lufta në Gaza duhet të kryhet tani dhe Izraeli s'duhet ta pushtojë enklavën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të enjten se lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza duhet të përfundojë tani, se Izraeli nuk duhet ta pushtojë këtë enklavë dhe se po bëhet progress drejt arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim mes Izraelit e Hamasit në Gaza, edhe pse pranoi se mbeten “çështje të vështira, komplekse” mes palëve.

“Ka shumë gjëra në retrospektivë që unë do të doja të isha në gjendje që t’i bindja izraelitët për t’i bërë, por çështja themelore është se ne kemi një mundësi tani. Është koha që të përfundohet kjo luftë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë pas samitit të NATO-s në Uashington, raporton gazeta “The Guardian”.

Gazeta “The Washington Post” kishte raportuar të mërkurën se Izraeli dhe Hamasi e kishin "sinjalizuar pranimin e një plani për qeverisje të përkohshme", sipas të cilit asnjëra palë nuk do ta qeveriste enklavën dhe një forcë e trajnuar nga ShBA-ja e përkrahësve të Autoritetit Palestinez do të ofronte siguri.

Pentagoni gjithashtu njoftoi se së shpejti do t’i jepte fund në mënyrë të përhershme përpjekjes për të dërguar ndihma në Gaza përmes detit nga Qiproja duke përdorur një port të përkohshëm që ishte dëmtuar në mënyrë të përsëritur nga moti i lig.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi se ekipi i saj negociues, i udhëhequr nga drejtori i agjencisë së inteligjencës “Mossad”, David Barnea, ishte kthyer në Izrael pas bisedimeve me ndërmjetësuesit në Doha të Katarit të enjten.

Duke folur pas kthimit të ekipit negociues, Netanyahu tha se Izraelit i nevojitet kontrolli i anës palestineze të kufirit të Gazës me Egjiptin për t’i ndaluar armët që po arrijnë te Hamasi, raportoi agjencia AFP. Sidoqoftë, ky është një kusht që bie ndesh me pozicionin e Hamasit se Izraeli duhet të tërhiqet nga tërë territori i Gazës pas arritjes së armëpushimit.

Kryeministri izraelit shoti se Izraelit gjithashtu duhet t’i lejohet vazhdimi i luftimeve derisa të arrihen qëllimet e tij të luftës – shkatërrimi i Hamasit dhe kthimi i të gjitha pengjeve që po mbahen ende në Gaza.

Lajme të ngjashme