Bideni thotë se kërcënimi i Putinit me armë bërthamore taktike është real
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën se kërcënimi i homologut rus, Vladimir Putin, për përdorimin e armëve bërthamore taktike është real, pak ditë pasi e dënoi dislokimin e këtyre armëve nga Rusia në Bjellorusi.
Të shtunën, presidenti amerikan e quajti “absolutisht të papërgjegjshëm” njoftimin e Putinit se Rusia i ka dislokuar armët e para bërthamore taktike në Bjellorusi, raporton agjencia “Reuters”.
“Kur unë isha këtu para dy viteve, duke thënë se isha i shqetësuar për tharjen e lumit Kolorado, secili më shikoi si të isha i çmendur”- tha Bideni të hënën para një grupi të donatorëve.
“Më shikuan sikur kur thashë se brengosem për përdorimin e armëve bërthamore taktike nga Putini. Është reale”- shtoi presidenti amerikan.
Javën e kaluar, presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, tha se vendi i tij kishte filluar që të pranonte armë bërthamore taktike nga Rusia, disa prej të cilave, sipas tij, janë tri herë më të fuqishme se bombat bërthamore që ShBA-ja i kishte hedhur në Hiroshima dhe Nagasaki të Japonisë më 1945.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk synojnë që ta ndryshojnë qëndrimin ndaj armëve bërthamore strategjike si kundërpërgjigje ndaj dislokimit të armëve bërthamore taktike nga Rusia në Bjellorusi dhe se nuk kanë parë ndonjë shenjë se Rusia është duke u përgatitur për të përdorur një armë bërthamore.
Në maj, Rusia i refuzoi kritikat e ShBA-së për planin e saj për vendosjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, duke thënë se Shtetet e Bashkuara me dekada kishin dislokuar armë të tilla në Evropë.
Dislokimi i armëve bërthamore taktike nga Rusia është duke u përcjellë me kujdes nga Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre dhe nga Kina, e cila vazhdimisht ka paralajmëruar kundër përdorimit të armëve bërthamore në konfliktin e Ukrainës.
