Bideni thotë se Izraeli pajtohet që t’i ndërpresë sulmet në Gaza gjatë Ramazanit - NACIONALE

Bideni thotë se Izraeli pajtohet që t’i ndërpresë sulmet në Gaza gjatë Ramazanit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, thotë se Izraeli është pajtuar që t’i ndërpresë aktivitetet ushtarake në Gaza gjatë muajit të shenjtë të myslimanëve, Ramazanit, përderisa Hamasi po analizon një propozim për armëpushim, në të cilin përfshihen një pauzë në luftime dhe një këmbim i pengjeve me të burgosur.

Draft-propozimi, sipas të cilit një burim i afërt me bisedimet tha se do ta lejojë riparimin e spitaleve dhe furrave në Gaza si dhe hyrjen e 500 kamionëve me ndihma në ditë në enklavën e goditur nga luftimet, është përpjekja më serioze në disa javë për t’i dhënë fund konfliktit që shpërtheu në tetor të vitit të kaluar, raporton agjencia “Reuters”.

Ramazani pritet të fillojë në mbrëmjen e 10 marsit dhe të përfundojë në mbrëmjen e 9 prillit.

“Ramazani po vjen dhe ka qenë një marrëveshje nga izraelitët se ata nuk do të përfshihen në aktivitete gjatë Ramazanit, gjithashtu, për të na dhënë kohë që t’i nxjerrim të gjitha pengjet” – tha presidenti amerikan gjatë një paraqitjeje në emisionin “Late Night with Seth Meyers” të televizionit NBC.

Ai paralajmëroi se Izraeli rrezikon që ta humbë përkrahjen ndërkombëtare për shkak të shifrës së lartë të viktimave në mesin e palestinezëve, duke shtuar se ky shtet është zotuar për t’ua mundësuar palestinezëve evakuimin nga qyteti Rafah para intensifikimit të fushatës atje për shkatërrimin e Hamasit.

Bideni, komentet e të cilit u regjistruan të hënën dhe u transmetuan të martën, tha se ekziston një marrëveshje në parim për armëpushim mes dy palëve, përderisa lirohen pengjet. Ai shtoi se shpreson për arritjen e një armëpushimi nga e hëna e ardhshme.

“Ka shumë njerëz të pafajshëm që po vriten dhe Izraeli i ka ngadalësuar sulmet në Rafah” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se një armëpushim i përkohshëm do ta niste procesin që palestinezët ta kenë shtetin e tyre.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka refuzuar zgjidhjen me dy shtete.

Një burim i lartë tha se në draft-propozim përfshihet shkëmbimi i të burgosurve palestinezë me pengjet izraelite në formatin: dhjetë të burgosur të liruar për një peng të liruar.

Lajme të ngjashme