Bideni thotë se është i gatshëm për debat zgjedhor me Trumpin - NACIONALE

Bideni thotë se është i gatshëm për debat zgjedhor me Trumpin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të premten se do të ishte “i lumtur” që të ballafaqohej me rivalin Donald Trump në një debat para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Bideni po i përgjigjej një pyetjeje nga Howard Stern gjatë një interviste për rrjetin e radiove satelitore “SiriusXM”, raporton televizioni BBC.

“Unë jam i lumtur që të debatoj me të. Unë jam, diku. Nuk e di kur” – deklaroi presidenti amerikan.

Këshilltari i fushatës së Trumpit, Chis LaCivita, u kundërpërgjigj në rrjetin X: “Mirë, le ta organizojmë!”

Tradicionalisht, debatet presidenciale në vitin zgjedhor janë organizuar nga një komision jopartiak dhe caktohet për në vjeshtë.

Nëntorin e kaluar, komisioni i njoftoi vendet për tri debatet presidenciale të vitit 2024 – në universitete në Teksas, Utah dhe Virgjinia – ndërsa datat do të caktohen për në shtator dhe tetor.

Bideni nuk ishte zotuar për pjesëmarrje në këto debate para komenteve të tij të premten, duke thënë në mars se gatishmëria e tij për t’u paraqitur në skenë me Trumpin “varet nga sjellja e tij [e Trumpit]”.

Komentet e presidentit të premten erdhën pa njoftim paraprak nga zyrtarët e fushatës së tij dhe mund të jenë bërë pa qenë të përgatitura.

Javëve të fundit, Trumpi dhe përfaqësuesit e fushatës së tij i kanë bërë presion Bidenit për të debatuar më herët dhe më shpesh se në debatet e caktuara nga komisioni i debateve.

Lajme të ngjashme