"Jemi afër": Bideni shpreson për armëpushim në Gaza javën e ardhshme - NACIONALE

"Jemi afër": Bideni shpreson për armëpushim në Gaza javën e ardhshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se shpreson që do të arrihet një armëpushim në Gaza të hënën e ardhshme.

Komentet e tij vijnë pas raportimeve për ca përparim në bisedimet e vazhdueshme që përfshijnë përfaqësues të Izraelit e Hamasit në Katar, raporton televizioni BBC.

“Këshilltari im për siguri kombëtare më thotë se jemi afër [armëpushimit]” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan, vendi i të cilit është aleati kryesor i Izraelit, foli para gazetarëve në qytetin e Nju-Jorkut për armëpushimin e mundshëm.

“Jemi afër. Nuk kemi mbaruar ende. Shpresa ime është që deri të hënën e ardhshme do kemi një armëpushim” – shtoi ai.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha më herët se është bërë “progres” në bisedimet për lirimin e pengjeve izraelite ditëve të fundit, por se mbetej e paqartë nëse Hamasi do ta pranonte propozimin më të ri për marrëveshje.

“Kemi pasur progres në bisedimet që i kemi pasur mes Egjiptit, Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Katarit” – tha zëdhënësi Matthew Miller.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara u kritikuan gjerësisht për bllokimin me veto të një rezolute të Këshillit të Sigurimit, me të cilën do të bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Në vend të saj, ShBA-ja paraqiti një propozim të vetin, me të cilin Izraeli do të paralajmërohej që të mos hynte me trupa ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Izraeli është ballafaquar me presion të madh ndërkombëtar për të mos nisur ofensivë tokësore në këtë qytet, ku shumë refugjatë palestinezë janë vendosur pas ikjes nga shtëpitë e tyre në pjesë të tjera të Gazës.

Në një zhvillim tjetër, kryeministri i Autoritetit Palestinez, Mohammed Shtayyeh, dha dorëheqje bashkë me kabinetin e tij, i cili ka qeverisur disa pjesë të Bregut Perëndimor.

Lajme të ngjashme