Bideni s’është i sigurt që pushteti në ShBA do të ndërrohet paqësisht, nëse Trumpi humb - NACIONALE

Bideni s’është i sigurt që pushteti në ShBA do të ndërrohet paqësisht, nëse Trumpi humb

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se nuk është i sigurt që do të ndodhë ndërrim paqësor i pushtetit pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit atje.

“Nëse Trumpi fiton, jo, nuk jam i sigurt fare. Dua të them, nëse Trumpi humb, nuk jam i sigurt fare” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për televizionin CBS, që pritet të transmetohet e plotë këtë të diel, raporton gazeta “The Guardian”.

Kjo është intervista e parë e presidentit amerikan që nga tërheqja e tij nga fushata zgjedhore muajin e kaluar dhe ofrimi i mbështetjes për nënpresidenten Kamala Harris për ta zëvendësuar atë si e nominuar e Partisë Demokratike për president.

Për Trumpin, Bideni shtoi: “Ai e ka njëmend atë që e thotë, ne nuk e marrim atë seriozisht. Ai e ka njëmend, tërë kjo gjë për atë se “nëse ne humbim, do të ketë gjakderdhje… [dhe] “zgjedhje të vjedhura”, nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton.”

Televizioni CBS publikoi një pjesë të intervistës në rrjetin X.

Në mars të këtij viti, i nominuari i Partisë Republikane për president dhe ish-presidenti Donald Trump kishte thënë: “Tani, nëse unë nuk zgjidhem, do të jetë një gjakderdhje. Kjo do të jetë më e pakta e kësaj. Do të jetë një gjakderdhje për vendin.”

Para se të tërhiqej nga gara, Bideni ishte përqendruar shumë në fushatë te paraqitja e Trumpit si kërcënim ndaj demokracisë amerikane.

Lajme të ngjashme