Bideni: Rreziku nga Trumpi do të ishte më i madh tani se në mandatin e parë - NACIONALE

Bideni: Rreziku nga Trumpi do të ishte më i madh tani se në mandatin e parë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka kritikuar sulmet e paraardhësit dhe rivalit të tij republikan, Donald Trump, ndaj sistemit të drejtësisë pas vendimit fajësues ndaj tij nga një gjykatë në Nju-Jork, duke pretenduar se rreziku që ish-presidenti do të paraqiste në një mandat të ri do të ishte më i madh se në herën e tij të parë në pushtet.

Duke folur në një tubim për grumbullimin e fondeve në Connecticut, Bideni tha se ish-presidenti “dëshiron që ju të besoni se e tëra është e montuar”. “Asgjë nuk do të mund të ishte më larg nga e vërteta” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë”, raporton agjencia “Associated Press”.

Duke u bërë jehonë komenteve që i bëri si reagim ndaj vendimit të gjykatës kundër Trumpit në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, Bideni tha: “Është e pamatur dhe e rrezikshme dhe tërësisht e papërgjegjshme për këdo që të thotë se është montim thjesht pse ty nuk të pëlqen verdikti.”

Ai shtoi se sistemi i drejtësisë është palcë e demokracisë amerikane dhe “ne kurrë nuk duhet të lejojmë askënd që ta shemb atë”.

Siç theksoi javën e kaluar, Bideni vuri në pah se gjykimi i Trumpit ishte rast shtetëror e jo federal, se u gjykua nga një trup gjykues i zgjedhur siç zgjidhet të gjitha trupat gjykuese në mbarë vendin dhe se rasti u përcoll me pesë javë të paraqitjes së dëshmive. Ai tha se vendimi ishte i njëzëshëm dhe se Trumpi mund ta apelojë atë.

Sidoqoftë, presidenti shkoi më larg të hënën, duke e akuzuar Trumpin se po e barazon sistemin e drejtësisë me zgjedhje. Ai tha se ish-presidenti “po i sulmon edhe sistemin e drejtësisë, edhe sistemin zgjedhor [duke i cilësuar] si të montuar”.

“Asgjë nuk do të mund të ishte më e rrezikshme për vendin, më e rrezikshme për demokracinë amerikane” – paralajmëroi demokrati Biden.

Megjithatë, ai nuk e përmendi rastin gjyqësor federal për armë kundër të birit të tij, Hunter, që nisi të hënën në Delaware. Jason Miller, këshilltar i lartë në fushatën e Trumpit, e shfrytëzoi këtë, duke iu kundërpërgjigjur komenteve të Bidenit. Sipas tij, presidenti “do të bëjë çfarëdo për të penguar [vëmendjen] nga gjykimi i Hunterit”.

Duke i lënë anash dënimin e Trumpit dhe rastin e djalit të tij, Bideni shtoi: “Ja çfarë po bëhet gjithnjë më e qartë përditë: Rreziku që Trumpi e paraqet në mandatin e tij të dytë do të ishte më i madh se në mandatin e tij të parë.”

“Ky nuk është Trumpi i njëjtë që ishte zgjedhur [president] më 2016. Ai është më i keq” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

“Ai nuk mund ta pranojë faktin se humbi, kjo në mënyrë të fjalëpërfjalshme po e çmend atë” – shtoi presidenti, duke pretenduar se Trumpi “dëshiron t’i japë fund Kushtetutës” dhe “thotë se nëse humb, do të ketë gjakderdhje në Amerikë”. “Çfarë lloj njeriu është ky” – pyeti Bideni.

Lajme të ngjashme