Bideni qan, pasi takohet në Irlandë me priftin që ia ofroi ritet e fundit të birit të ndjerë, Beau
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka shpërthyer në lot në ditën e fundit të vizitës së tij 4-ditore në Irlandë, pasi u takua me priftin që ia kishte ofruar ritet e fundit të birit të tij të ndjerë, Beau, para se ai të vdiste më 2015.
Richard Gibbons, udhëheqës i faltores së Knock-ut, tha se Frank O’Grady, i cili ishte pranë të birit të presidentit para se ai të vdiste, është vendosur në Knock për të punuar atje, duke siguruar një takim të paplanifikuar me presidentin, raporton gazeta “The Guardian”.
“Thjesht ndodhi ashtu – dhe ishte disi spontane – thjesht ndodhi që ta kemi, duke punuar në faltore këtu, priftin që i jep ritet e fundit të shenjtërimit të fundit për djalin e tij në Shtetet e Bashkuara”- tha prifti.
“Thjesht e jashtëzakonshme dhe unë as nuk e dija atë, nuk e dija derisa arriti presidenti. Ai qeshi, qau, është thjesht disi si të goditet njeriu, thjesht mund të shihje se sa thellë u ndie dhe kishte domethënie për të”- shtoi ai.
“Ishte një pasdite e jashtëzakonshme. Nuk do ta harrojë atë, mund t’ju them se ishte goxha diçka tjetër”- i tha prifti televizionit BBC.
Ish-shërbëtori fetar i ushtrisë, O’Grady, më vonë tha: “Ai nuk e dinte se punoj këtu. Prandaj kur... e pashë atë, ishte paksa i emocionuar. Hera e fundit që ishim takuar, ishte kur biri i tij ishte shumë i sëmurë para tetë vjetëve dhe e tëra iu kthye atij.”
“I thashë se është person i besimit të madh dhe ai tha se besimi e ka mbështetur në të kaluarën, në atë kohë të vështirë, dhe se ende e mbështet”- shtoi O’Grady.
Vdekja e të birit kishte ndikim të thellë te presidenti Biden, i cili të enjten tha në Kuvendin e Irlandës se nuk kishte planifikuar që të garonte për president më 2020 pas vdekjes së djalit.