Bideni paralajmëron se fitorja e mundshme e Trumpit do ta rrezikojë demokracinë
Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi të enjten se demokracia amerikane është e rrezikuar nga ish-presidenti Donald Trump, i cili me gjasë do të jetë rivali i tij në zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm.
I ballafaquar me nivel të ulët të kënaqshmërisë për punën e tij dhe me brengat për moshën e shtyrë, presidenti Biden u mundua që t’i kthente nga vetja votuesit e pavendosur, duke i vënë në pah rreziqet të cilat ai këmbënguli se do të paraqiteshin nga mandati i dytë i Trumpit ndaj statusit të ShBA-së si pishtar udhëheqës i qeverisjes demokratike në botë, raporton gazeta “The Guardian”.
Duke deklaruar se historia e Shteteve të Bashkuara është në një pikë kthese, Bideni tha se karakteri dhe e ardhmja e vendit kërcënohet nga vlerat autoritare të lëvizjes së Trumpit, “Make America Great Again – MAGA” (“Bëje Amerikën të Madhe Përsëri”).
“Është diçka e rrezikshme që po ndodh në Amerikë. Është një lëvizje ekstremiste që nuk i ndan besimet themelore të demokracisë sonë: lëvizja MAGA... Historia na ka sjellë ne në një kohë të re të testimit”- deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Të gjithë neve po na shtrohet pyetja tani: Çfarë do të bëjmë ne për ta mbajtur demokracinë tonë”- shtoi ai.
Duke iu referuar Trumpit në emër vetëm një herë gjatë fjalimit prej gjysmë ore, presidenti amerikan u mundua që t’i vendoste në kontrast normat dhe traditat demokratike me sjelljen nga e cila duket se karakterizohet paraardhësi i tij në pushtet.
Demokracia, sipas tij, “e nënkupton sundimin e popullit, jo sundimin e monarkisë, jo sundimin e të hollave, jo sundimin e të fuqishmëve”.
“Pavarësisht nga partia, kjo nënkupton zgjedhje të lira dhe të drejta, respektim të rezultatit, fitove apo humbe. Kjo nënkupton se nuk mund ta duash vendin tënd, vetëm kur fiton ti”- shtoi presidenti amerikan.
“Demokracia i nënkupton refuzimin dhe mohimin e dhunës politike. Pavarësisht nga partia, dhuna e tillë nuk është kurrë, kurrë, kurrë e pranueshme në Amerikë. Është jodemokratike dhe ajo nuk duhet të normalizohet kurrë për të fituar pushtet politik”- vazhdoi Bideni.
Kjo pjesë ishte referencë e qartë ndaj sulmit në ndërtesën e Capitol-it të ShBA-së më 6 janar 2021, kur një grumbull njerëzish të nxitur nga Trumpi ishin munduar që ta parandalonin ratifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet presidenciale nga Kongresi.
Pavarësisht nga dështimi i Trumpit për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, Bideni paralajmëroi se rreziku nuk kishte kaluar. “Sot, demokracia është ende në rrezik. Kjo nuk është hiperbolë. Është një e vërtetë e thjeshtë”- tha ai.
