Bideni njofton kufizime kundër azilkërkuesve për ta “kontrolluar kufirin”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka ndërmarrë veprime të reja me qëllim të kufizimin të arritjeve rekorde të emigrantëve në kufirin ShBA – Meksikë, që e kanë lënë kreun e Shtëpisë së Bardhë në pozitë të brishtë në vitin e zgjedhjeve.
Sipas masave të reja, zyrtarët mund t’i largojnë shpejt emigrantët që hyjnë ilegalisht në ShBA pa i procesuar kërkesat e tyre për azil, raporton televizioni BBC.
Kjo do të ndodhë porsa të plotësohet një prag ditor dhe kufiri të jetë “i dërrmuar”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
ShBA-ja gjithashtu njoftoi masa të reja me qëllim të përshpejtimit të trajtimit të rasteve dhe lehtësimit të presionit ndaj gjykatave të stërngarkuara amerikane që merren me çështje të emigrantëve.
Bideni të martën pasdite tha: “Ky veprim do të na ndihmojë që ta marrim kontrollin e kufirit tonë.”
Megjithatë, disa aktivistë për të drejtat e emigrantëve tashmë e kanë kritikuar vendimin. “Është për fat të keq që politika po e drejton bisedën për emigrantët në një drejtim gjithnjë më kufizues” – tha Jennie Murray, drejtoreshë e Forumit Kombëtar të Migracionit.
Në fjalimin e tij, presidenti Biden i kritikoi republikanët që nuk e miratuan reformën dypartiake të migrimit më herët këtë vit, ndërsa kërkoi nga kritikuesit progresivë të masave të reja që “të jenë të durueshëm”.
Më shumë se 6,4 milionë emigrantë janë ndaluar duke hyrë ilegalisht në ShBA gjatë mandatit të Bidenit. Arritjet e tyre janë shtuar këtë vit, edhe pse ekspertët besojnë se trendi nuk pritet që të vazhdojë.