Bideni intervistohet dy ditë nga hetuesi i posaçëm, Robert Hur: Për çka bëhet fjalë? - NACIONALE

Bideni intervistohet dy ditë nga hetuesi i posaçëm, Robert Hur: Për çka bëhet fjalë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është intervistuar si pjesë e një hetimi për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga ai pas largimit nga posti i nënpresidentit të vendit më 2017.

Bideni u takua vullnetarisht me prokurorin e posaçëm, Robert Hur, në Shtëpinë e Bardhë dy ditë, thanë zyrtarët.

Hetuesi Hur u emërua pas fillimit të një hetimi tjetër për dokumentet sekrete që ishin gjetur në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump, raporton televizioni BBC.

Ndaj Bidenit nuk është ngritur ndonjë aktakuzë për krime. Nuk është gjë e pazakontë që presidentët të intervistohen nga hetuesit.

Ian Sams, zëdhënës i Bidenit, tha në një deklaratë se intervista mes presidentit dhe hetuesit është zhvilluar të dielën dhe të hënën.

Intervista u krye personalisht nga hetuesi Hur, i cili ishte emëruar nga prokurori i përgjithshëm i ShBA-së, Merrick Garland, për ta udhëhequr hetimin.

“Siç kemi thënë nga fillimi, Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë janë duke bashkëpunuar me këtë hetim dhe siç ka qenë e duhur, kemi ofruar përditësime përkatëse publikisht, duke qenë aq transparentë sa mundemi, në përputhje me mbrojtjen e integritetit të hetimit. Ne do t’i drejtonim pyetjet e tjera te Departamenti i Drejtësisë në këtë kohë”- tha zëdhënësi Sams.

Dokumentet ishin gjetur nga ndihmësit e Bidenit në një zyrë që e kishte përdorur pas largimit nga posti i nënpresidentit dhe para se ta shpallte kandidaturën për president.

Autoritetet nuk kanë treguar se me çka lidhen dokumentet e gjetura. Në dokumente të klasifikuara mund të përfshihen shumë çështje, nga ato të zakonshmet deri te temat shumë të ndjeshme.

Intervistimi i Bidenit u bë në kohën e tensioneve dramatike në Izrael dhe koha ishte caktuar disa muaj më parë, raporton gazeta “The New York Times”, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të Shtëpisë së Bardhë.

Përfundimi i intervistës mund të jetë shenjë se hetimi mund të jetë duke iu afruar fundit. Ekipi i hetuesit Hur ende nuk ka vendosur nëse do të paraqesë aktakuzë kundër Bidenit.

Lajme të ngjashme