Bideni i thotë prapë Netanyahut se civilët në Rafah duhet të mbrohen - NACIONALE

Bideni i thotë prapë Netanyahut se civilët në Rafah duhet të mbrohen

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha përsëri të enjten kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se ai nuk duhet ta çojë përpara veprimin ushtarak në Rafah të Gazës pa një plan të besueshëm e të ekzekutueshëm për t’i mbrojtur civilët në Gaza, tha Shtëpia e Bardhë.

Biseda telefonike mes dy udhëheqësve të enjten ishte hera e dytë brenda më pak se një jave që presidenti amerikan e paralajmëroi kryeministrin izraelit rreth hyrjes së ushtrisë në pjesën jugore të Gazës pa një plan për ta garantuar sigurinë e rreth një milion njerëzve që po strehohen atje, raporton agjencia “Reuters”.

Ata biseduan edhe për bisedimet e vazhdueshme për lirimin e pengjeve dhe Bideni u zotua se do të punonte vazhdimisht për ta ndihmuar lirimin e tyre, 132 ditë në duar të Hamasit, sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë.

Forcat izraelite thanë të enjten se e kishin bastisur spitalin më të madh që është ende duke funksionuar në Gaza, veprim që ngriti alarm të ri për gjendjen e qindra pacientëve e punëtorëve shëndetësorë dhe të shumë palestinezëve të zhvendosur që janë munduar të gjejnë strehim atje nga luftimet.

Luftimet në spital ndodhën në kohën kur Izraeli po ballafaqohet me rritje të presionit ndërkombëtar për të shfaqur vetëpërmbajtje, pas zotimit për ta vazhduar ofensivën e vet në Rafah, vendi i fundit relativisht i sigurt në Gaza.

Më herët këtë muaj, Bideni tha se kundërpërgjigjja ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës ka qenë “mbi kulm” dhe shprehu shqetësim të thellë për rritjen e numrit të viktimave civile në enklavën palestineze.

Lufta filloi më 7 tetor, kur Hamasi i përkrahur nga Irani dërgoi luftëtarë në Izrael, duke vrarë 1.200 njerëz e duke marrë peng 253 të tjerë, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.

Ofensiva ajrore e tokësore izraelite nga ajo kohë e ka shkatërruar Gazën e vogël por me popullsi të dendur, duke lënë të vrarë 28 mijë e 663 njerëz, shumica civilë, sipas autoriteteve shëndetësore atje, e duke e detyruar gati tërë popullsinë prej më shumë se dy milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme