Bideni e shënon Ditën e Pavarësisë së Ukrainës me ndihma prej tre miliardë dollarësh
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e shënoi të mërkurën Ditën e Pavarësisë së Ukrainës me njoftimin për dhurimin e tre miliardë dollarëve ndihma të sigurisë për vendin e përfshirë nga lufta. Kjo është pakoja më e madhe e ShBA-së për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus para gjashtë muajve.
Ndihma e re erdhi në kohën kur zyrtarët amerikanë paralajmëruan se Rusia duket që po përgatitet për të kryer sulme të reja ndaj infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare ukrainase në ditët e ardhshme.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për ta përkrahur popullin e përderisa ata po e vazhdojnë luftën për ta mbrojtur sovranitetin e tyre”, tha përmes një deklarate presidenti amerikan, duke e përmendur edhe përvjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga regjimi sovjetik para 31 viteve.
Rreth 2.98 miliardë dollarë ndihma “do t’i lejojnë Ukrainës që të sigurojë sisteme të mbrojtjes ajrore, sisteme të artilerisë dhe municion, sisteme ajrore kundër objekteve pa pilot dhe radarë për t’u siguruar që mund ta vazhdojë mbrojtjen e vetes në aspekt afatgjatë”, tha ai.
Në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara janë zotuar për ndarjen e rreth 10.6 miliardë dollarëve për ndihma ushtarake për Ukrainën që nga ardhja në pushtet e presidentit Biden në janarin e vitit të kaluar. Nga viti 2014, ShBA-ja është zotuar për ndihma sigurie me vlerë të mbi 12.6 miliardë dollarëve për Ukrainën.
Për pakon e re të ndihmave do të shfrytëzohen fondet nga Nisma e Asistencës së Sigurisë për Ukrainën, e përshtatur nga Kongresi për t’ia lejuar administratës së Bidenit prokurimin e armëve nga industria e jo marrjen e armëve nga rezervat ekzistuese të ShBA-së./Nacionale

