Bideni e Netanyhu në rrugën e përplasjes pas miratimit të rezolutës për Gazën në OKB
Marrëdhëniet mes presidentit amerikan, Joe Biden, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ranë në nivelin më të ulët gjatë luftës të hënën, pasi Shtetet e Bashkuara e lejuan miratimin e një rezolute për armëpushim në Gaza në OKB, duke nxitur një qortim të fuqishëm nga politikani izraelit.
Netanyahu befas anuloi një vizitë të një delegacioni izraelit këtë javë në Uashington, gjatë së cilës do të diskutohej ofensiva e planifikuar e Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pasi ShBA-ja abstenoi gjatë votimit të një rezolute në Këshill të Sigurimit me të cilën kërkohen armëpushim i menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit si dhe lirim i të gjitha pengjeve që po mbahen nga militantët palestinezë, raporton agjencia “Reuters”.
Pezullimi i takimit në Uashington vendos një pengesë të re të rëndësishme në rrugën e përpjekjeve të ShBA-së, e shqetësuar nga thellimi i krizës humanitare në Gaza, që ta bindë Netanyahun për të shqyrtuar alternativa ndaj sulmit tokësor në Rafah, streha e fundit relativisht e sigurt për civilët palestinezë.
Kërcënimi për fillimin e kësaj ofensive i ka rritur tensionet mes aleatëve të vjetër, ShBA-së e Izraelit, dhe ka ngritur pyetje nëse ShBA-ja mund ta kufizojë ndihmën ushtarake, nëse Netanyahu e sfidon Bidenin dhe vazhdon përpara me planin e tij për sulm në Rafah.
“Kjo tregon se besimi mes administratës së Bidenit dhe Netanyahut mund të jetë duke u thyer” - tha Aaron Miller, ish-negociator për Lindje të Mesme për administrata të republikanëve e demokratëve në ShBA. “Nëse kriza nuk menaxhohet me kujdes, vetëm sa do të vazhdojë që të përkeqësohet” – shtoi ai.
Vendimi i Bidenit për të abstenuar në OKB, që vjen pas disa muajve të respektimit kryesisht të politikës së vjetër amerikane për mbrojtjen e izraelit në këtë organizatë, duket se e pasqyron zemërimin në rritje të ShBA-së ndaj kryeministrit izraelit.
Presidenti amerikan, i cili do të garojë në zgjedhje presidenciale në nëntor, ballafaqohet me presion jo vetëm nga aleatët e ShBA-së, por edhe nga një numër në rritje i demokratëve të partisë së tij për ta frenuar kundërpërgjigjen ushtarake të Izraelit ndaj sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor, kur raportohet të jenë vrarë rreth 1.200 njerëz.
Në anën tjetër, edhe Netanyahu përballet me sfidat e tij të brendshme, përfshirë kërkesat e djathtistëve ekstremë në koalicionin qeveritar për vijë më të ashpër kundër palestinezëve. Ai gjithashtu duhet t’i bindë familjet e pengjeve se është duke bërë gjithçka për lirimin e tyre, ndërkohë po përballet me protesta të shpeshta gjatë të cilave bëhet thirrje për dorëheqjen e tij.
Përderisa zyra e Netanyahut e njoftoi anulimin e vizitës së delegacionit në Uashington, kryeministri izraelit tha se dështimi i ShBA-së për ta bllokuar rezolutën me veto në OKB është “tërheqje e qartë” nga pozicioni i mëparshëm amerikan dhe se ky veprim do t’i dëmtojë përpjekjet e Izraelit në luftë.