Bideni e nënshkruan buxhetin rekord të mbrojtjes, ushtarëve u rriten rrogat
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të premten e nënshkroi projektligjin e ShBA-së për politika të mbrojtjes, duke e shndërruar në ligj.
Me nënshkrimin nga presidenti autorizohet ndarja e shumës rekorde prej 886 miliardë dollarësh për shpenzime ushtarake e politika si ndihmat për Ukrainën e masat për t’iu kundërvënë Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit, raporton agjencia “Reuters”.
Akti Autorizues i Mbrojtjes Kombëtare u miratua nga Kongresi javën e kaluar. Në Senat, ku shumicën e ulëseve e ka Partia Demokratike e Bidenit, projektligji u miratua me 87 vota “për” e 13 “kundër”, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve me 310 vota “për” e 118 “kundër”.
Përmes këtij ligji, njëra nga pjesët e pakta të legjislacionit që miratohen nga Kongresi çdo vit, qeverisen të gjitha çështjet e mbrojtjes, nga rritja e pagave për ushtarët e blerja e anijeve e aeroplanëve, deri te politikat e jashtme për përkrahjen e vendeve partnere si Tajvani.
Në ligjin e gjatë gati 3.100 faqe parashihet rritja e pagave prej 5,2 për qind për ushtarët, ndërsa buxheti i përgjithshëm i mbrojtjes rritet për rreth 3 për qind. Aty përmenden edhe disa kompani kineze të baterive, për të cilat thuhet se nuk mund t’i bëjnë shitje Departamentit të Mbrojtjes.
Përmes ligjit të ri zgjatet një masë për ndihma ndaj Ukrainës – Nisma për Asistencë Sigurie për Ukrainën – deri në fund të vitit 2026, duke e autorizuar ndarjen e 300 milionë dollarëve për këtë program për vitin e ardhshëm fiskal e vitin që vjen pas tij.
Megjithatë, kjo shifër është e vogël në krahasim me 61 miliardë dollarët që i kishte kërkuar Bideni nga Kongresi për ta ndihmuar Kievin në luftën kundër pushtimit rus. Republikanët kishin refuzuar që ta miratonin asistencën për Ukrainën, nëse demokratët nuk do të pajtoheshin për ashpërsim të konsiderueshëm të ligjit për emigrantët.