Bideni drejt Gjermanisë për të biseduar rreth Ukrainës e Lindjes së Mesme - NACIONALE

Bideni drejt Gjermanisë për të biseduar rreth Ukrainës e Lindjes së Mesme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të enjten niset drejt Berlinit për një vizitë të shpejtë për ta diskutuar pushtimin rus të Ukrainës me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, përderisa Kievi po u bën thirrje aleatëve perëndimorë që të bëjnë hapa urgjentë për t’u dhënë fund luftimeve.

Konflikti në Lindje të Mesme, që po përhapet shpejt, gjithashtu pritet të jetë lart në agjendën e bisedimeve mes udhëheqësve, përderisa përpjekjet diplomatike për ndërprerjen e luftimeve kanë ngecur, raporton agjencia “Reuters”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë fillimisht kishte planifikuar që të organizonte një takim më të gjerë të përkrahësve ushtarakë të Ukrainës në bazën ajrore amerikane, “Ramstein”, javën e kaluar në Gjermani gjatë një vizite të planifikuar treditore shtetërore, që do të kishte qenë e para në gati 40 vjet.

Megjithatë, presidenti amerikan e anuloi udhëtimin për t’u marrë me pasojat e uraganit “Milton”, në vendin e tij. Sidoqoftë, Bideni po e plotëson mungesën e javës së kaluar me udhëtimin e tanishëm.

Presidenti pritet të arrijë të enjten vonë në Berlin dhe të premten në mëngjes të zhvillojë bisedime dypalëshe me presidentin dhe kancelarin e Gjermanisë, para një takimi të planifikuar me të ashtuquajturën katërshe evropiane pasdite.

Bideni ka pasur marrëdhënie të ngushtë pune me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe vizita e tij shihet pjesërisht si miratim i bashkëpunimit para se presidenti të largohet nga pushteti në janar.

Udhëtimi i tij vjen pas vizitave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në disa kryeqytete perëndimore për ta paraqitur “planin e fitores” me të cilin synohet t’i jepet fund pushtimit rus, përderisa forcat e Moskës po avancojnë në lindje të Ukrainës dhe kur po afrohet një dimër i zymtë me ndërprerje të pritshme të furnizimit me energji.

“Situata në fushën e betejës në Ukrainë, trajektorja e luftës, si aleatët munden më së miri ta përkrahin Ukrainën, do të jenë tema të bisedës” – tha një zyrtar i lartë amerikan para udhëtimit të Bidenit për takimin me udhëheqësit evropianë.

Në anën tjetër, kancelari Scholz para deputetëve gjermanë të mërkurën tha: “Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë përkrahëset më të mëdha të Ukrainës në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe demokracisë së saj, por kjo është një kohë kur, shtuar përkrahjes sonë të qartë për Ukrainën, ne gjithashtu duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të zbuluar se si mund të sigurohemi që kjo luftë të mos vazhdojë përgjithmonë, që ajo të mos vazhdojë të vrasë një numër të pabesueshëm të grave e burrave.”

Zelensky thotë se me planin e tij, ku përfshihet ftesa e pakushtëzuar për Ukrainën që të anëtarësohet në NATO, synohet që Kremlini të detyrohet për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve në mirëbesim./Nacionale

Lajme të ngjashme