Bideni bën gafë të re: “Nesër do ta bëj 9/11”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bëri një gafë të re. Ai të martën tha se “nesër do ta bëjë 9/11”, vetëm një ditë para përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në ShBA.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili në korrik njoftoi se nuk do të garonte në zgjedhjet presidenciale pas performancës së dobët në debat me rivalin Donald Trump, i bëri komentet e reja para gazetarëve para se të niste debati mes nënpresidentes Kamala Harris dhe republikanit Trump, raporton gazeta “The Telegraph”.
“Do të shkoj në ditëlindjen e mbesës sime në Nju-Jork, pastaj do ta shikojmë debatin, pastaj nesër do ta bëj 9/11” – tha presidenti amerikan.
Me gjasë, ai po i referohej pjesëmarrjes në ceremonitë e përkujtimit të sulmeve.
Sidoqoftë, komentet e tij nxitën huti dhe kritika në internet, sidomos nga republikanët.