Besohet se mbi 700 njerëz kanë vdekur nga vërshimet shkatërruese në Nigeri - NACIONALE

Besohet se mbi 700 njerëz kanë vdekur nga vërshimet shkatërruese në Nigeri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Numri zyrtar i të vdekurve pas vërshimeve vdekjeprurëse që e goditën qytezën Mokwa të enjten ka shkuar në mbi 200, thonë zyrtarët.

Përpos tyre, 500 njerëz të tjerë janë ende të zhdukur në shtetin Niger të Nigerisë. Zyrtari lokal, Musa Kimboku, i tha BBC-së se përpjekjet e shpëtimit ishin ndërprerë, sepse autoritetet nuk besonin që ndokush mund të gjendet më i gjallë.

Vërshimet, për të cilat thuhet se ishin më të rëndat në atë zonë për 60 vjet, i kapluan distriktet Tiffin Maza dhe Anguwan Hausawa të qytezës Mokwa pas reshjeve të dendura të shiut, raporton televizioni BBC.

Në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e sëmundjeve, autoritetet së shpejti do t’i nxjerrin kufomat e varrosura, tha udhëheqësi lokal, Muhammadu Aliyu.

Duke i sjellë ndër mend skenat e katastrofës, banorët lokalë i thanë BBC-së se i panë shtëpitë dhe anëtarët e familjeve të tyre duke u marrë me vete nga uji.

Një burrë i quajtur Adamu Yusuf, i humbi bashkëshorten dhe foshnjën e porsalindur. “Shikova i pashpresë, përderisa uji e mori me vete familjen time. Unë mbijetova, sepse dija të notoja” – i tha ai televizionit britanik.

Disa banorë lokalë kanë thënë se vërshimet ishin shumë shkatërruese për shkak të shembjes së një dige afër qytezës. Megjithatë, autoritetet nuk e kanë konfirmuar këtë.

Të dielën, Agjencia Kombëtare për Menaxhimin e Emergjencave njoftoi se e kishte filluar procesin e ofrimit të pakove me ndihma për njerëzit e prekur./Nacionale

Lajme të ngjashme