Bëri pyetje shpotitëse rreth Trumpit, Zelanda e Re e shkarkon ambasadorin në Britani - NACIONALE

Bëri pyetje shpotitëse rreth Trumpit, Zelanda e Re e shkarkon ambasadorin në Britani

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Jashtme i Zelandës së Re, Winston Peteres, tha të enjten se e ka shkarkuar ambasadorin e vendit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, pasi ai bëri komente që u panë si kritikuese ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Ambasadori tashmë i shkarkuar i Zelandës së Re në Britani, Phil Goff, i bëri komentet rreth Trumpit në një forum në Londër të martën që u dukën sikur e vunë në pikëpyetje të kuptuarit e historisë nga Trumpi, duke i vënë në kontrast përpjekjet e kreut të Shtëpisë së Bardhë për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë me veprimet e ish-kryeministrit historik të Britanisë së Madhe, Winston Churchill, i cili e kishte udhëhequr vendin në luftën kundër Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Presidenti Trump e rivendosi bustin e Churchill-it në Zyrën Ovale, por a mendoni se ai vërtet e kupton historinë”, pyeti ambasadori Goff gjatë një paneli me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

Kryediplomati i Zelandës së Re tha në një deklaratë se komentet e ambasadorit Goff ishin “thellësisht zhgënjyese”.

“Ato nuk i përfaqësojnë pikëpamjet e Qeverisë së Zelandës së Re dhe e bëjnë të paqëndrueshme pozitën e tij si Komisioner i Lartë në Londër” – tha më tej ministri Peters.

Ambasadori i shkarkuar nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment jashtë orarit të punës në Britani.

Goff më parë ka qenë ministër i Jashtëm dhe ligjvënës në Partinë Laburiste. Ai ishte emëruar ambasador në Britani në vitin 2023./Nacionale

Lajme të ngjashme