BE-ja ua lehtëson turqve rregullat për viza Schengen, emisari evropian kërkon më shumë - NACIONALE

BE-ja ua lehtëson turqve rregullat për viza Schengen, emisari evropian kërkon më shumë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian i ka lehtësuar rregullat për shfrytëzimin e zonës së vet me kufij të hapur për turqit, tha të premten ambasadori i BE-së në Ankara, duke bërë thirrje për rinisjen urgjente të bisedimeve për udhëtimin pa viza për shtetasit e Turqisë.

Me vite, turqit janë ankuar për sistemin e vizave të BE-së. Bashkimi Evropian ka thënë se ky proces, i cili menaxhohet nga agjenci të akredituara për viza, ka qenë i ngadalshëm për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe se është duke kërkuar zgjidhje alternative me Ankaranë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ambasadori i BE-së në Turqi, Thomas Hans Ossowski, tha se rregullat e reja do të ndihmojnë që të adresohen ankesat e turqve për proceset e gjata burokratike, por paralajmëroi se ato nuk janë të mjaftueshme për t’i zgjidhur problemet në mënyrë të përhershme.

“Do të jetë shumë më lehtë dhe shumë më shpejt për qytetarët turq” – tha Ossowski para gazetarëve në Ankara, duke iu referuar vendimit të ri të Komisionit Evropian, në fuqi nga 15 korriku, me të cilin thjeshtohet rruga deri te sigurimi i vizave për hyrje të shumëfishta për turqit.

Turqit që më parë i kanë shfrytëzuar vizat pa ndonjë shkelje do të mund të sigurojnë një vizë 6-mujore që në aplikimin e tyre të dytë, të pasuar nga viza 1-vjeçare, pastaj ato trevjeçare dhe pesëvjeçare.

Ministria e Jashtme e Turqisë e mirëpriti vendimin dhe tha se institucionet turke dhe Komisioni Evropian do të vazhdojnë që të synojnë lehtësime shtesë sa u përket vizave.

Ministri i Tregtisë i Turqisë, Omer Bolat, tha se vendimi i ri është “lehtësim për të cilin qytetarët tanë kanë qenë duke pritur për një kohë të gjatë”.

Turqia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 1999, por procesi i pranimit është ngrirë me vite për çështje të ndryshme, përfshirë të drejtat e njeriut dhe dobësimin e demokracisë. Së fundi ka pasur shenja të angazhimit dhe bashkëpunimit të shtuar ekonomik mes Brukselit dhe Ankarasë./Nacionale

Lajme të ngjashme