BE-ja pajtohet për pakon e 14-të të sanksioneve kundër Rusisë, thonë diplomatët
Shtetet e Bashkimit Evropian janë pajtuar për pakon e 14-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, thanë të enjten diplomatët, përfshirë ndalimin e rieksportimit të gazit natyror të lëngëzuar rus në ujërat e BE-së.
Belgjika, shtet që e ka presidencën e përkohshme të Bashkimit Evropian deri më 1 korrik, njoftoi se pakoja e re e sanksioneve “e maksimizon ndikimin e sanksioneve ekzistuese përmes mbylljes së zbrazëtirave”, raporton agjencia “Reuters”.
Shtetet debatuan për masat e reja për më shumë se një muaj dhe përfundimisht e zbutën njërin prej propozimeve të Komisionit Evropian, me qëllim të parandalimit të anashkalimit të mëtejmë të sanksioneve, me këmbënguljen e Gjermanisë.
Me masat e hequra nga propozimi do të detyroheshin filialet e kompanive të vendeve të BE-së në vende të treta që në mënyrë kontraktuale ta ndalonin rieksportimin e mallrave të tyre në Rusi. BE-ja synon që ta ndërpresë qarkullimin e teknologjisë me përdorim të dyfishtë si çipat e rrobalarëseve, që mund të përdoren nga Rusia për qëllime ushtarake.
Një diplomat i BE-së tha se Gjermania kishte kërkuar vlerësim të ndikimit dhe se kjo masë mund të përfshihet në një datë të mëvonshme.
Përmes pakos së re ashpërsohen edhe masat kundër flotës në hije që e lëviz naftën ruse jashtë çmimit tavan ndaj naftës së papërpunuar ruse që i është caktuar nga vendet e Grupit G7.