BE-ja pajtohet për kufizime të reja ndaj drithit të Ukrainës - NACIONALE

BE-ja pajtohet për kufizime të reja ndaj drithit të Ukrainës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje provizore të mërkurën për t’u dhuruar prodhuesve ukrainas të ushqimit qasje pa taksa në tregjet e bllokut deri në qershor të vitit 2025, por me disa kufizime të reja ndaj importit të drithit.

Komisioni Evropian në janar kishte propozuar që të pezulloheshin taksat dhe kuotat ndaj prodhimit bujqësor ukrainas për një vit shtesë, me “frenim urgjent” për shpezërinë, vezët dhe sheqerin, për të cilat do të kishte taksa, nëse importet i kalojnë nivelet mesatare të viteve 2022 e 2023, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, pas disa muajve me protesta nga bujqit kundër rregullave mjedisore të BE-së dhe importeve të lira, ligjvënësit evropianë bënë thirrje që lista urgjente të zgjerohej edhe me prodhime të tjera bujqësore dhe të shtohej viti 2021 si vit referues. Bëhet fjalë për periudhën para fillimit të pushtimit rus, kur eksportet ukrainase në BE kufizoheshin nga taksat e kuotat.

Negociatorët nga Parlamenti Evropian dhe presidenca belge e BE-së u pajtuan në orët e hershme të së mërkurës për t’i shtuar tërshërën, misrin, bollgurin dhe mjaltin në listë, duke e mbajtur si kufi mesataren e importeve më 2022 e 2023.

Negociatorët u siguruan që Komisioni Evropian do të vepronte brenda 14 ditëve, në vend të 21 ditëve të parashikuara fillimisht, nëse arrihen nivelet e kufirit të importeve.

Ata gjithashtu shtuan një zotim nga Komisioni për t’i vëzhguar importet ukrainase të grurit dhe llojeve të tjera të drithit dhe për të ndërmarrë masa, nëse ato i pengojnë tregjet e BE-së.

Fqinjët e Ukrainës në BE – Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia e Bullgaria – janë ankuar se importet e prodhimeve bujqësore nga Ukraina i kanë zemëruar prodhuesit e tyre, duke çuar në protesta të bujqve e ndalime të importeve. Dërgesat në këto shtete u shtuan, pasi pushtimi rus i Ukrainës i pengoi eksportet përmes rrugës tradicionale nëpër Detin e Zi.

Kievi ka thënë se eksportet bujqësore ukrainase nuk janë duke i dëmtuar tregjet e BE-së, sidomos tani që rreth 95 për qind e eksporteve bujqësore të Ukrainës shkojnë nëpër Detin e Zi.

Lajme të ngjashme