BE-ja pajtohet në parim për t’ia dhënë Ukrainës fitimin nga asetet e ngrira ruse
Udhëheqësit e vendeve të BE-së janë pajtuar në parim që të sekuestrojnë një shumicë të madhe të fitimit të realizuar nga asetet e ngrira ruse dhe t’ia japin atë Ukrainës.
Me këtë propozim mund të sigurohen rreth tre miliardë euro këtë vit dhe miliardi i parë mund t’i lëshohet Ukrainës në korrik, tha të enjten vonë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fund të ditës së parë të samitit të udhëheqësve të BE-së në Bruksel, raporton gazeta “The Guardian”.
“U thashë udhëheqësve se nëse jemi të shpejtë tani për përmbylljen e propozimit, mund ta paguajmë miliardin e parë më 1 korrik. Pra, varet nga ne” – tha zyrtarja e lartë evropiane, duke shtuar se pati mbështetje të madhe që ky fitim të përdoret për “qëllime ushtarake për Ukrainën”.
Zonja Von der Leyen gjithashtu zbuloi se Bashkimi Evropian është duke e shqyrtuar rritjen e taksave për drithin e Rusisë, përfshirë drithin e vjedhur nga Ukraina, që hyn në tregun e BE-së.
Marrëveshja vjen pas gati një viti të bisedimeve për bazën ligjore të sekuestrimit praktik të 190 miliardë eurove që po mbahen në depozitorin qendror belg të sigurimeve, “Euroclear”.
Rruga për marrëveshje u hap pas ndryshimit të tekstit për ta adresuar kundërshtimin e Hungarisë rreth përdorimit të këtyre fondeve për ta armatosur Ukrainën.
Se si do të ndahen fondet, mbetet për t’u vendosur, por propozimi ishte që 90 për qind e tyre të shfrytëzohen për programe ushtarake, ndërsa 10 për qind për rindërtim, me mundësinë që një pjesë e parave të ndahen për financimin e misioneve paqeruajtëse të BE-së nëpër botë për t’i adresuar shqetësimet e Hungarisë.
Kjo lëvizje është ende e mbushur me rreziqe ligjore. Ekziston mundësia që këto para të kthehen me detyrim pas luftës, nëse Rusia ndërmerr veprime ligjore.
Të mërkurën, Kremlini tha se një veprim i tillë do të ishte shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, por diplomatët e BE-së thanë se ata të gjithë ishin pajtuar që fitimi ose interesi i realizuar nga asetet e ngrira ruse mund të përdoret në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u kishte bërë thirrje udhëheqësve të BE-së që ta shtojnë përkrahjen me më shumë mbrojtje ajrore për t’i mbrojtur qytetet lindore nga bombardimet ruse, përfshirë lirimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën.
“Agresori duhet ta paguajë çmimin më të lartë për luftën – kjo është në vijë edhe me letrën, edhe me frymën e ligjit” – u tha ai udhëheqësve të BE-së përmes një video-adresimi.