BE-ja mund t’ia heqë shpejt disa sanksione Sirisë, thotë Franca
Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Sirisë që e pengojnë dërgimin e ndihmave humanitare dhe që e kufizojnë rindërtimin e vendit mund të hiqen shpejt, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot.
Shtetet e Bashkuara të hënën lëshuan një përjashtim nga sanksionet për transaksionet me institucionet qeverisëse në Siri për gjashtë muaj pas përfundimit të sundimit të Bashar al-Assadit në përpjekje për ta lehtësuar rrjedhjen e asistencës humanitare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryediplomati francez tha se BE-ja mund të marrë vendim të ngjashëm së shpejti, pa e saktësuar kohën, duke shtuar se heqja e më shumë sanksioneve politike do të varej nga ajo se si udhëheqësia e re e Sirisë do ta trajtojë tranzicionin.
“Ka të tjera [sanksione], të cilat sot e pengojnë qasjen në ndihma humanitare, të cilat e pengojnë rindërtimin e vendit. Këto do të mund të hiqeshin shpejt” – tha ministri Barrot, i cili të premten u takua me udhëheqësin de fakto të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, gjatë një vizite bashkë me homologen gjermane.
Duke folur në kushte anonimiteti, tre diplomatë evropianë thanë se BE-ja do të mundohet që të arrijë pajtueshmëri për heqjen e disa sanksioneve në kohën e takimit të ministrave të jashtëm të 27 shteteve të bllokut në Bruksel më 27 janar.
Dy prej diplomatëve thanë se njëri nga qëllimet është lehtësimi i transaksioneve financiare për ta lejuar kthimin e fondeve në Siri, për ta lehtësuar transportin ajror dhe për t’i pakësuar sanksionet në fushën e energjisë për t’i përmirësuar dërgesat e rrymës.
Siria vuan nga ndërprerjet e ashpra të energjisë. Rryma që ofrohet nga shteti është në dispozicion vetëm nga dy ose tri orë në ditë në shumicën e zonave. Qeveria në detyrë thotë se synon që të sigurojë furnizim me rrymë deri në tetë orë në ditë brenda dy muajve./Nacionale