BE-ja e mirëpret paktin Izrael – Hamas, premton shtim të ndihmave për Gazën
Komisioni Evropian ka thënë se do ta shtojë dërgimin e ndihmave në Gaza gjatë pauzës 4-ditore të luftimeve për të cilën kanë arritur marrëveshja të dyja palët e konfliktit, Izraeli dhe Hamasi.
Duke e mirëpritur marrëveshjen, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja do ta shfrytëzojë periudhën e pauzës për të dërguar më shumë ndihma në enklavën palestineze, raporton televizioni “Al Jazeera”.
“Komisioni Evropian do ta bëjë maksimumin për ta shfrytëzuar këtë pauzë për shtim humanitar në Gaza”- tha zyrtarja e lartë evropiane të mërkurën përmes një deklarate. “Unë e mirëpres me gjithë zemër marrëveshjen”- shtoi ajo.
I wholeheartedly welcome the agreement reached on the release of the 50 hostages and on a pause in hostilities.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) November 22, 2023
My full statement ↓
Komentet e zonjës Von der Leyen erdhën një ditë pas njoftimit të Komisionit Evropian se nuk ishin gjetur dëshmi që fondet e BE-së po i shkonin Hamasit. Rishikimi i fondeve ishte urdhëruar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Bashkimi Evropian është dhuruesi më i madh i ndihmës zhvillimore për palestinezët. Blloku ka ndarë rreth 1,2 miliard euro për programet e tij për periudhën 2021 – 2024.
Pas sulmeve të 7 tetorit, Brukseli ishte detyruar që të mohonte se do t’i ndalte të gjitha ndihmat për Gazën në tetor pas një deklarate të komisionarit për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ndihma zhvillimore është e dizajnuar për të pasur ndikim afatgjatë, si dhurimi i pagave për zyrtarët e Autoritetit Palestinez dhe punën e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.
Ky lloj i ndihmës është i ndarë nga ndihma humanitare, e cila jepet për nevoja urgjente dhe themelore, si ushqimi, uji dhe strehimi.
