BE-ja e çon përpara planin për të blerë armë për Ukrainën me fitimin e aseteve të ngrira ruse
Bashkimi Evropian është duke e çuar përpara planin për përdorimin e fitimit të formuar nga miliarda euro asete ruse të ngrira në Evropë për ta ndihmuar furnizimin e Ukrainës me armë e fonde, tha të martën një zyrtar i lartë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e mori dritën e gjelbër për këtë plan nga shumica e ministrave të jashtëm të vendeve të bllokut këtë javë dhe shpreson se udhëheqësit e BE-së do ta mbështesin atë në një samit në Bruksel që do të fillojë të enjten. Kjo lëvizje vjen në kohën kur Ukraina po mbetet me pak municion në nivel të rrezikshëm dhe kur përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të siguruar fonde të reja për armë kanë ngecur në Kongres, raporton agjencia“Associated Press”.
Bashkimi Evropian është duke mbajtur rreth 200 miliardë euro të aseteve të bankës qendrore ruse, shumica të ngrira në Belgjikë, si hakmarrje për luftën e Moskës kundër Ukrainës. Blloku vlerëson se interesi nga këto të holla mund të jetë rreth tre miliardë euro çdo vit.
“Rusët nuk do të jenë shumë të gëzuar. Shuma e parave, tre miliardë në vit, nuk është e jashtëzakonshme, por nuk është e neglizhueshme” – u tha Borrelli gazetarëve.
Një grup i vogël i vendeve të BE-së, sidomos Hungaria, refuzojnë që ta furnizojnë Ukrainën me armë, prandaj ky fitim do të ndahet. Rreth 90 për qind e të hollave do të vendoseshin në një fond të posaçëm të cilin shumë shtete të Bashkimit Evropian tashmë e përdorin për t’u rimbursuar për armët dhe municionin që ia dërgojnë Ukrainës.
10 për qind e mjeteve do të vendoseshin në buxhetin e BE-së për ta ndihmuar fuqizimin e industrisë së mbrojtjes të Ukrainës. Shtetet që ankohen kundër dërgimit të armëve pastaj do të mund të pretendonin se ato nuk janë duke e armatosur Ukrainën, tha kryediplomati i BE-së.
Buxheti i BE-së nuk mund të shfrytëzohet për të blerë armë, sipas interpretimeve të tanishme të traktateve të bllokut nga ekspertët, por fondi i posaçëm funksionon jashtë buxhetit dhe nuk ka detyrim për t’u respektuar standardet ligjore ose të miratohet nga Parlamenti Evropian.
Banka Qendrore Evropiane në të kaluarën ka paralajmëruar kundër konfiskimit të aseteve ruse, sepse kjo masë do të mund ta minonte besimin ndaj valutës euro dhe ndaj tregjeve të BE-së. Megjithatë, Borrelli tha se asnjë aset nuk do të merret, por vetëm fitimi që realizohet nga interesi prej tyre. Ai shtoi se Banka Qendrore Evropiane është konsultuar për këtë plan.