BE-ja dëshiron bisedime të shpejta me ShBA-në për t’i shmangur taksat e Trumpit - NACIONALE

BE-ja dëshiron bisedime të shpejta me ShBA-në për t’i shmangur taksat e Trumpit

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian dëshiron të angazhohet shpejt me Shtetet e Bashkuara në bisedime rreth taksave të planifikuara të presidentit Donald Trump, tha të martën shefi i tregtisë, Maros Sefcovic, ndërsa shefja e tij, Ursula von der Leyen, theksoi se BE-ja do t’i mbrojë interesat e saj në bisedime.

Sefcovic-i, duke folur para një takimi të ministrave të vendeve të BE-së për të debatuar rreth tregtisë dhe konkurrencës në BE, tha se ai dëshiron “angazhim të hershëm” dhe se ishte duke e pritur konfirmimin e takimit nga i nominuari i Trumpit për sekretar të Tregtisë, Howard Lutnick, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne jemi të gatshëm për t’u angazhuar menjëherë dhe shpresojmë se përmes këtij angazhimi të hershëm, mund t’i shmangim masat që do të sillnin shumë tollovi shumicës së tregtisë dhe marrëdhënies investuese në këtë planet” – u tha ai gazetarëve.

Zonja Von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, tha se prioriteti i parë i BE-së është që të punojë në shumë fusha ku puqen interesat e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, si zinxhirët kritikë të furnizimit dhe teknologjitë në zhvillim.

Në një fjalim të mbajtur në Bruksel, ajo tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm për bisedime të vështira për zgjidhjen e ankesave dhe për t’i vënë themelet për një marrëdhënie më të fortë.

“Ne do të jemi të hapur dhe pragmatikë për atë se si të arrihet kjo, por ne do ta bëjmë po aq të qartë se gjithmonë do t’i mbrojmë interesat tona – sidoqoftë e kurdo që kjo nevojitet” – paralajmëroi zyrtarja e lartë e BE-së.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se kontaktet me administratën e Trumpit kanë qenë të kufizuara deri më tani, duke theksuar se të nominuarit e presidentit amerikan për pozita të larta nuk mund të flasin me homologët e tyre të huaj derisa emërimi i tyre në poste të jetë konfirmuar. Von der Leyen dhe Trumpi nuk kanë qenë në kontakt që nga inaugurimi i presidentit./Nacionale

Lajme të ngjashme