BE do të trefishojë ndihmën humanitare për Gazën në 75 milionë euro
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi të shtunën se BE-ja po trefishon ndihmën humanitare në 75 milionë euro për Rripin e Gazës, i cili po përballet me një bombardim nga Izraeli pas sulmit nga Hamasi.
Izraeli ka paralajmëruar 1.1 milionë njerëz që të evakuojnë Gazën veriore përpara një ofensive të pritshme tokësore në shkallë të gjerë kundër Hamasit, një javë pasi grupi islamik nisi sulmin më vdekjeprurës në historinë izraelite.
“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me OKB-në dhe agjencitë e saj për të siguruar që kjo ndihmë të arrijë tek ata që kanë nevojë në Rripin e Gazës”, tha von der Leyen në një deklaratë, pas një telefonate me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.
Kombet e Bashkuara lëshuan të enjten një apel urgjent për 294 milionë dollarë për të adresuar "nevojat më urgjente" në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të luftimeve të fundit.
"Komisioni mbështet të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur kundër terroristëve të Hamasit, në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar. Ne po punojmë fort për të siguruar që civilëve të pafajshëm në Gaza t'u ofrohet mbështetje në këtë kontekst," shtoi ajo.