BBC: ShBA-ja vlerëson se ka rritje dramatike të numrit të ushtarëve të vrarë ukrainas
Sipas vlerësimeve të reja të disa zyrtarëve të paidentifikuar amerikanë, ka pasur rritje dramatike të numrit të të vdekurve ukrainas në luftë. Gazetari Quentin Sommerville i BBC-së ka qenë në vijën e frontit në lindje, ku detyra e zymtë e numërimit të të vdekurve është bërë realitet i përditshëm.
Ushtarë të panjohur shtrihen të renditur në një objekt të vogël me tulla, jo shumë larg vijës së frontit në Donetsk, ku Margoja 26-vjeçare thotë se u flet të vdekurve, raporton televizioni BBC.
“Mund të tingëllojë e çuditshme... por unë jam ajo që dëshiron që të kërkojë falje për vdekjen e tyre. Dua t’i falënderoj disi. Është sikur ata mund të dëgjojnë, por s’mund të përgjigjen”- tha ajo.
Në tavolinën e saj të rrëmujshme jashtë derës së rëndë të objektit ku mbahen kufomat, ajo ulet, me laps në dorë. Puna e saj është që t’i regjistrojnë të dhënat personale të tyre.
Ukraina nuk jep shifra zyrtare të të vdekurve të saj në luftë – ushtria ukrainase ka thënë disa herë se numrat e viktimave të saj janë sekret shtetëror – por Margoja e di se humbjet janë të mëdha.
Numrat mbeten të klasifikuar. Megjithatë, disa zyrtarë amerikanë, rishtazi vlerësuan se bëhet fjalë për 70 mijë të vdekur e 120 mijë të tjerë të lënduar. Këta janë numra tronditës për një ushtri që vlerësohet se ka vetëm rreth gjysmë milioni ushtarë. OKB-ja ka regjistruar 9.177 civilë të vdekur deri më tani.
Në krahun e djathtë të Margos shihet një tatuazh i vogël i një nëne me fëmijën e saj. Pranë figurës është data e lindjes së djalit të saj. Thonjtë i ka me ngjyrat e flamurit ukrainas, ndërsa në bluzë i shkruan “UNË JAM UKRAINASE”.
“Më së vështiri është, kur sheh një djalë të ri të vdekur që nuk e ka arritur moshën 20, 22-vjeçare dhe kur kupton se nuk e ka pasur vdekjen e vet”- thotë ajo. “Ata u vranë. U vranë për tokën e vet. Kjo është më e dhimbshmja. Nuk mund të mësohesh me këtë. Tash po vjen puna ku bëhet fjalë vetëm që të japësh ndihmë që djemtë të arrijnë në shtëpi”- shtoi punëtorja ukrainase.
Sipas saj, dita më e vështirë në jetën e saj ishte, kur në objekt kishte arritur trupi i partnerit me të cilin bashkëjetonte, pikërisht në ditën kur kishte vdekur. Andreu 23-vjeçar u vra në fushën e betejës më 29 dhjetor 2022.
“Ai vdiq gjatë mbrojtjes së atdheut të tij, por, pastaj, për kushedi sa herë, e kam bindur veten se duhet të jem këtu, duke i ndihmuar të rënët”- tha Margoja.
Jo më herët se në prill, në një dokument të rrjedhur të Pentagonit vlerësohej se numri i të vdekurve ukrainas ishte shumë më i ulët – 17.500. Rritja e pretenduar në më shumë se 70 mijë mund të shpjegohet pjesërisht përmes kundërsulmit në jug. Në ditët e hershme të tij, ishte jashtëzakonisht vështirë në këmbësorinë e Ukrainës – “më keq se në Bakhmut”, i tha gazetarit një komandant brigade që po lufton atje.
Ukraina tash i ka ndërruar taktikat atje, por fillimi i përpjekje për t’i thyer vijat pushtuese të mbrojtjes së rusëve në qershor ishte i kushtueshëm, sidomos për ushtarët e rinj, të trajnuar rishtazi. Ata vdisnin “me dhjetëra” përditë, i tha në qershor gazetarit të BBC-së një rreshter i lartë që po luftonte përreth fshatit Velyka Novosilka të rajonit të Donetskut.
