BBC: Rusia ka marrë territor ukrainas gati gjashtë herë më shumë këtë vit se më 2023
Ushtria ruse është duke i përshpejtuar avancimet përgjatë vijës së frontit në Ukrainë në një kohë kritike të konfliktit.
Të dhënat nga Instituti për Studimin e Luftës, grup me seli në Uashington, tregojnë se Rusia ka fituar gati gjashtë herë më shumë territor këtë vit se në vitin 2023 dhe është duke avancuar drejt qendrave kyçe logjistike të Ukrainës në rajonin lindor të Donbasit, raporton televizioni BBC.
Ndërkohë, pushtimi i befasishëm ukrainas në rajonin Kursk të Rusisë është duke u ligështuar. Trupat ruse e kanë vënë në tërheqje ofensivën e Kievit. Ekspertët e kanë vënë në pikëpyetje suksesin e ofensivës. Njëri prej tyre madje e ka quajtur atë “katastrofë strategjike”, duke e marrë parasysh mungesën e fuqisë njerëzore me të cilën ballafaqohet Ukraina.
Këto zhvillime vijnë në një kohë me pasiguri të shtuar, kur administrata e re amerikane e republikanit Donald Trump po bëhet gati për ta marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Presidenti i zgjedhur është zotuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë, ndërsa disa po frikësohen se ai mund t’ia pakësojë ndihmat ushtarake Ukrainës në të ardhmen.
Avancimet e Rusisë në lindje të Ukrainës
Në muajt e parë të luftës, vija e frontit lëvizi shpejt. Rusia fitoi terren shpejt para se të sprapsej nga një kundërsulm ukrainas. Megjithatë, më 2023 asnjëra palë nuk shënoi avancime të mëdha dhe konflikti mbeti kryesisht në ngërç.
Sidoqoftë, të dhënat e Institutit për Studimin e Luftës tregojnë se forcat ruse kanë kapur rreth 2.700 kilometra katrorë të territorit ukrainas deri më tani këtë vit, në krahasim me vetëm 465 kilometra katrorë gjatë tërë vitit 2023, gati gjashtëfish më shumë.
Dr. Marina Miron, hulumtuese e mbrojtjes në “Kings College London”, sugjeroi se ekziston mundësia që fronti lindor ukrainas “në të vërtetë mund të kolapsojë”, nëse Rusia e vazhdon avancimin shpejt.
Më shumë se 1.000 kilometra katrorë janë kapur nga 1 shtatori deri më 3 nëntor, duke lënë të kuptohet se shtytja ruse është përshpejtuar muajve të fundit. Dy zona që po pësojnë më së shumti nga avancimet e armikut janë Kupiansku në rajonin Kharkiv dhe Kurakhove, afër qendrës logjistike Pokrovsk, në rajonin e Donetskut.
Kupiansku dhe zonat në lindje të Lumit Oskil ishin çliruar gjatë ofensivës së Kharkivit më 2022, por Rusia në mënyrë progresive e ka rimarrë zonën e këtij të fundit. Sipas një përditësimi të inteligjencës rishtazi, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se forcat ruse po mundoheshin që të depërtonin në periferinë verilindore të qytetit.
Disa pamje të publikuara më 13 nëntor dhe të vërtetuara nga BBC-ja përputhen me këtë analizë. Në video shfaqet një autokolonë e automjeteve të blinduara ruse duke u sprapsur, pasi kishin arritur që t’i afroheshin deri në katër kilometra urës kyçe në Kupiansk, udhëkryqi i fundit i rëndësishëm në zonë.
Përderisa këto raportime nuk përkthehen patjetër në kontrollim të zonës, ato janë tregues se sa e tendosur është bërë vija mbrojtëse e Ukrainës, thekson televizioni britanik./Nacionale/Nasuf Abdyli