BBC: Rusia e kërkon njohjen e rajoneve të aneksuara për t’i nisur bisedimet - NACIONALE

BBC: Rusia e kërkon njohjen e rajoneve të aneksuara për t’i nisur bisedimet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia ka thënë se refuzimi i Perëndimit për t’i njohur “territoret e reja”, të aneksuara nga Ukraina, i bën më të vështira bisedimet e paqes, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, dha shenjë se është i gatshëm të takohet me homologun rus, Vladimir Putin.

Kremlini tha se është i hapur për bisedime, por jo sipas kërkesës së Perëndimit për t’i tërhequr trupat ruse nga Ukraina, raporton televizioni BBC.

Rusia në mënyrë të paligjshme aneksoi katër rajone ukrainase në fundin e shtatorit, edhe pse nuk i ka plotësisht nën kontroll asnjërën prej tyre.

Nëntë muaj pas fillimit të luftës, Rusia e ka humbur më shumë se gjysmën e territorit të pushtuar.

Presidenti Biden u tha gazetarëve të enjten në mbrëmje se është i gatshëm për t’u takuar me presidentin rus, “nëse, në të vërtetë, ka interesim për të vendosur që ai të kërkojë një rrugë për përfundimin e luftës”.

Duke qëndruar pranë tij në Shtëpinë e Bardhë, presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri të qartë se dy udhëheqësit janë pajtuar që kurrë nuk do t’u bëjnë thirrje ukrainasve për të bërë kompromis “që nuk është i pranueshëm për ta”.

Të premten, kancelari gjerman, Olaf Scholz, foli me presidentin rus për herë të parë nga shtatori. Gjatë telefonatës njëorëshe, Berlini tha se kancelari gjerman i ka bërë thirrje Putinit për të gjetur një zgjidhje diplomatike që e përfshin tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina “sa më shpejt që është e mundshme”.

Në anën tjetër, Kremlini tha se pala gjermane kishte bërë shtytje për zhvillimin e kësaj bisede dhe se Putini i ka bërë thirrje Berlinit “për t’i shqyrtuar qasjet e tij në kontekstin e ngjarjeve ukrainase”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se Putini mbetet i hapur për bisedime që e kanë për qëllimin “sigurimin e interesave tona”. Por Moska qartazi nuk është e gatshme t’i pranojë kushtet e Shteteve të Bashkuara: “Çfarë tha, në të vërtetë, presidenti Biden? Ai tha se bisedimet janë të mundshme vetëm pasi Putini të largohet nga Ukraina.”

Sipas zëdhënësit rus, gjetja e një baze të përbashkët për bisedime është e vështirë, pasi ShBA-ja nuk i njeh “territoret e reja” në Ukrainë.

Lajme të ngjashme