BBC: Mijëra burra ukrainas kanë ikur nga lufta, mbi 21 mijë janë kapur në flagrancë - NACIONALE

BBC: Mijëra burra ukrainas kanë ikur nga lufta, mbi 21 mijë janë kapur në flagrancë

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Gati 20 mijë burra kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi I luftës për ta shmangur rekrutimin në ushtri, ka zbuluar televizioni BBC.

Disa kanë notuar nëpër lumenj të rrezikshëm për t’u larguar nga vendi. Të tjerë thjesht kanë ikur nën mbulesën e errësirës.

Autoritetet në Kiev kanë konfirmuar se 21 mijë e 113 burra të tjerë kanë bërë përpjekje për t’u larguar, por janë kapur.

Pas fillimit të pushtimit rus, shumicës së burrave të moshave 18 deri në 60-vjeçare iu ndalua largimi nga vendi. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BBC-ja tregojnë se dhjetëra burra e kanë arritur këtë qëllim përditë.

Televizioni britanik ka biseduar me disa burra që janë larguar nga vendi për t’u bashkuar me familjet e tyre, për të studiuar ose thjesht për ta siguruar mbijetesën.

“Çfarë duhet të bëj [në Ukrainë]? Jo secili është luftëtar. Nuk duhet ta mbash tërë vendin të mbyllur. Nuk mund t’i bësh të gjithë bashkë, siç bënin në Bashkimit Sovjetik”- tha një burrë ukrainas, i quajtur Yevgeny.

BBC-ja ka zbuluar – duke kërkuar të dhëna rreth kalimeve ilegale të kufirit nga Rumania, Moldavia, Polonia, Hungaria e Sllovakia – se 19 mijë e 740 burra kanë hyrë ilegalisht në këto shtete në periudhën shkurt 2022 – 31 gusht 2023.

Përderisa nuk dihet se si kanë ikur këta burra, dihet se cilat metoda janë përdorur nga 21 mijë e 113 të tjerët që janë kapur në flagrancë.

Shumica – 14 mijë e 313 burra – ishin përpjekur që kufirin ta kalonin duke ecur në këmbë ose duke notuar nëpër lumenj, ndërsa 6 mijë e 800 të tjerët u mbështetën në dokumente zyrtare të falsifikuara, si fabrikimi i sëmundjeve, thanë autoritetet ukrainase.

Lajme të ngjashme