BBC: Koreja Veriore po ndërton “mur” kufitar, sipas disa pamjeve satelitore
Koreja Veriore po ndërton segmente të atij që duket si mur në disa vende afër kufirit me Korenë Jugore, sipas disa pamjeve të reja satelitore.
Në pamjet e analizuara nga televizioni BBC gjithashtu shihet se toka brenda Zonës së Demilitarizuar është pastruar, veprim për të cilin ekspertët thonë se mund të jetë shkelje e armëpushimit të gjatë me vendin fqinj, raporton televizioni britanik.
Zona e Demilitarizuar është hapësirë katër kilometra e gjerë mes dy Koreve, të cilat ende teknikisht janë në luftë, pasi kurrë nuk kanë nënshkruar një traktat të paqes. Zona e Demilitarizuar është e ndarë në dy pjesë dhe secila prej tyre kontrollohet nga forcat e vendeve përkatëse.
Aktiviteti i ri është “i pazakonshëm”, sipas ekspertëve, dhe vjen në kohën e tensioneve në rritje mes dy shteteve.
"Në këtë pikë vetëm mund të spekulojmë se Koreja Veriore po synon që ta fuqizojë praninë e saj ushtarake dhe fortifikatat përgjatë kufirit" - tha Shreyas Reddy, korrespondent i uebfaqes “NK News” me bazë në Seul.
Në pamjet e analizuara nga BBC-ja duket se shfaqen të paktën tri segmente ku pengesat janë ngritur afër Zonës së Demilitarizuar, duke mbuluar gjithsej rreth një kilometër afër fundit lindor të kufirit.
Është e mundshme që ka pasur ndërtime të tjera të pengesave përgjatë kufirit.
Koha e saktë e fillimit të ndërtimeve është e paqartë për shkak të mungesës së pamjeve të mëhershme me rezolucion të lartë në atë pjesë. Megjithatë, këto struktura nuk ishin të dukshme në një pamje të nëntorit të vitit të kaluar.
“Vlerësimi im personal është që kjo është hera e parë që ata kanë ndërtuar një pengesë në kuptimin e ndarjes së vendeve nga njëri-tjetri” – tha Dr. Uk Yang, ekspert i ushtrisë dhe i mbrojtjes në Institutin “Asan” për Studime të Politikave.
“Në vitet e nëntëdhjeta, Koreja Veriore kishte ndërtuar mure kundërtanke për ta frenuar përparimin e tankeve në rast të shpërthimit të luftës, por rishtazi, Koreja Veriore ka qenë duke ndërtuar mure të larta dy – tri metra dhe ato nuk duken si mure kundërtanke” – shtoi ai.
Lufta Koreane përfundoi në vitin 1953 me një armëpushim, në të cilin të dyja palët u zotuan për të “mos ekzekutuar ndonjë veprim armiqësor brenda, nga ose kundër zonës së demilitarizuar”, por nuk ka pasur marrëveshje përfundimtare të paqes./Nacionale