BBC-ja tregon se ç’përmban draft-rezoluta për Gazën që pritet të votohet sot në OKB - NACIONALE

BBC-ja tregon se ç’përmban draft-rezoluta për Gazën që pritet të votohet sot në OKB

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Televizioni BBC thotë se e ka siguruar tekstin e një draft-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftën në Gaza, e cila pritet të votohet të mërkurën më vonë.

Në Nju-Jork kanë kaluar disa ditë me mosmarrëveshje diplomatike për gjuhën e këtij dokumenti, duke çuar në shtyrjen e vazhdueshme të votimit nga e hëna, raporton televizioni BBC.

Gjuha në draft-rezolutën e propozuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe thuhet se tashmë është zbutur në përpjekje për të shmangur një veto tjetër nga ShBA-ja, pasi Uashingtoni i kishte bllokuar rezolutat e mëparshme për Gazën në Këshill të Sigurimit, duke e shfrytëzuar të drejtën e vetos si njëri nga pesë anëtarët e përhershëm të këtij organi.

Në tekstin e ri të draft-rezolutës, sipas BBC-së, bëhet thirrje për:

-Palët e konfliktit në Gaza t’u përmbahen detyrimeve të tyre sipas së drejtës ndërkombëtare në lidhje me mbrojtjen e civilëve.

-Zbatim të pauzave e korridoreve të zgjatura e urgjente humanitare në mbarë Rripin e Gazës për një numër të mjaftueshëm të ditëve për të mundësuar qasje humanitare të plotë, të shpejtë, të sigurt e të papenguar.

-Lirim të menjëhershëm e të pakusht të të gjitha pengjeve si dhe sigurimin e qasjes së menjëhershme humanitare.

-Të gjitha palët të përmbahen nga privimi i popullsisë civile në Rripin e Gazës nga shërbimet themelore dhe asistenca humanitare, të domosdoshme për mbijetesën e tyre.

Lajme të ngjashme