BBC-ja sjell rrëfim të rrallë për të gjallët e ata që kanë vdekur urie në Korenë Veriore - NACIONALE

BBC-ja sjell rrëfim të rrallë për të gjallët e ata që kanë vdekur urie në Korenë Veriore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Për disa muaj, televizioni BBC ka komunikuar fshehtas me tre banorë të Koresë Veriore. Për herë të parë, ata e shpërfaqin katastrofën që po shpaloset atje që nga mbyllja e kufirit para më shumë se tri viteve. Emrat e personave janë ndryshuar për t’i mbrojtur nga përndjekja.

Në një qytezë afër kufirit me Kinën, Chan Ho, punëtor ndërtimtarie, po ballafaqohet me një mëngjes të pakëndshëm. “Dua që njerëzit të dinë se më vjen keq që jam lindur në këtë vend”- thotë ai.

Është zgjuar përsëri herët që ta ndihmojë bashkëshorten që të përgatitet për treg, para se të niset për në kantierin e ndërtimit. Me përkushtim i bart produktet e saj dhe i ngarkon në tezgë, plotësisht i vetëdijshëm se biznesi i saj është arsyeja e vetme që ai është ende gjallë. Shuma prej rreth 4 dollarësh që ai fiton për një ditë nuk mjafton më për të blerë një kilogram oriz dhe ka kaluar kohë e gjatë që familja e tij nuk ka pranuar racione qeveritare të ushqimit, saqë ai i ka harruar ato.

Tregjet, ku shumica e banorëve të Koresë Veriore e blejnë ushqimin, tash janë gati boshe, thotë ai, dhe çmimet e orizit, misrit dhe prodhimeve sezonale janë rritur shumë.

Koreja Veriore mbështetet në importe, sepse nuk prodhon ushqim të mjaftueshëm për popullin e saj. Përmes mbylljes së kufirit, autoritetet e vendit ndërprenë dërgesa jetike të ushqimit, bashkë me plehrat dhe makinerinë që nevojitet për rritjen e të mbjellave.

Fillimisht, Chan Ho frikësohej se mund të vdiste nga Covidi, por, me kalimin e kohës, filloi që të brengosej se mund të vdiste nga uria, sidomos përderisa shihte njerëz të tjerë përreth tij që vdisnin për këtë arsye.

Familja e parë në fshatin e tij që e humbi betejën me urinë përbëhej nga një nënë dhe fëmijët e saj. Ajo ishte sëmurë shumë dhe nuk mund të punonte. Fëmijët e kishin mbajtur gjallë aq gjatë sa kishin mundur, duke kërkuar ushqim lëmoshë, por në fund të tre vdiqën. Pastaj ishte një nënë e dënuar me punë të rëndë për shkeljen e rregullave të karantinës. Ajo dhe biri i saj vdiqën nga uria.

Rishtazi, njëri prej bijve të një shoku të tij ishte liruar nga ushtria për shkak të kequshqyerjes. Chan Ho-së i kujtohet se si fytyra e tij ishte ënjtur papritmas. Ai vdiq brenda një jave.

“S’mund të fle, kur mendoj për fëmijët e mi, të detyruar që të jetojmë në këtë ferr të pashpresë”- thotë ai.

BBC-ja ia dërgoi rezultatet e hulumtimit qeverisë koreane. Një përfaqësues i ambasadës së Koresë Veriore në Londër tha: “Të dhënat që ju i keni mbledhur nuk janë tërësisht faktike, sepse kanë rrjedhur nga dëshmi të fabrikuara nga forca anti-koreane. Republika Popullore Demokratike e Koresë (emri zyrtar i Koresë Veriore) gjithmonë i ka bërë prioritet interesat e popullit edhe në kohëra të vështira dhe ka një përkushtim të palëkundur ndaj mirëqenies së popullit.”

Lajme të ngjashme