Baza e re detare e Rusisë në Abkhazi po e alarmon Gjeorgjinë - NACIONALE

Baza e re detare e Rusisë në Abkhazi po e alarmon Gjeorgjinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në fillim të nëntorit, 50 deputetë të opozitës në Gjeorgji iu adresuan shteteve të BE-së e NATO-s, duke u bërë thirrje për qëndrim të unifikuar kundër planit të Rusisë për të ndërtuar një bazë të përhershme detare në rajonin separatist të Gjeorgjisë, Abkhazi.

Planet e Kremlinit kanë shkaktuar frikë se kjo bazë mund ta tërheqës Gjeorgjinë – që mban shpresë për të hyrë në BE - në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe t’i dëmtojë planet e Tbilisit për një port në Detin e Zi, raporton televizioni BBC.

“Ne njëzëri dhe në mënyrë të vendosur i dënojmë pushtimin rus, militarizimin dhe veprimet e tjera që e kanë për qëllim aneksimin e rajoneve të pushtuara të Gjeorgjisë, shprehje e re e së cilave është hapja e një baze të përhershme detare ruse në portin Ochamchire”- thuhet në deklaratën e deputetëve gjeorgjianë.

Disa javë më parë, udhëheqësi de fakto i Abkhazisë, Aslan Bzhania, kishte konfirmuar se ishte nënshkruar një marrëveshje me Kremlinin për një bazë të përhershme detare në portin e Detit të Zi, Ochamchire.

Abkhazia nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e Gjeorgjisë, por ka qenë nën kontrollin e forcave separatiste e ruse që nga vitet e nëntëdhjeta.

Ministria e Jashtme e Gjeorgjisë e ka dënuar planin e Rusisë, duke e quajtur “shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit territorial të Gjeorgjisë”, edhe pse autoritetet në Tbilisi e kanë minimizuar peshën e bazës së përhershme detare, duke e përshkruar atë si diçka që nuk është kërcënim urgjent.

“Edhe nëse ata e fillojnë ndërtimin e bazës në Ochamchire, do t’u nevojiten të paktën tre vjet”- i tha BBC-së Nikoloz Samkharadze, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme në Gjeorgji. “Ne jemi të përqendruar në kërcënime urgjente dhe jo në kërcënime që mund të vijnë në të ardhmen”- shtoi ai.

Sipas tij, Qeveria e Gjeorgjisë është më e përqendruar te qytetarët gjeorgjianë që po vriten ose po rrëmbehen nga forcat ruse afër vijës së pushtimit që e ndan Gjeorgjinë nga territoret separatiste, Abkhazia dhe Osetia e Jugut.

“Nuk shohim ndonjë lëvizje për fillimin e ndërtimit në Ochamchire”- tha zyrtari gjeorgjian.

Televizioni BBC ka analizuar pamje satelitore që tregojnë gërmime e ndërtime të reja në port, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sipas administratës de faktor të Abkhazisë, kjo punë e gërmimit nënkupton që në portin Ochamchire tani mund të mbahen anije më të mëdha të mallrave me vëllim të ngarkesës deri në 13 mijë tonë.

Agjencia ukrainase e inteligjencës pretendon se kjo punë po bëhet për t’ua mundësuar luftanijeve ruse të Flotës së Detit të Zi që ta shfrytëzojnë këtë port si zonë të sigurt.

Nëse Rusia do ta përdorte portin Ochamchire për ta sulmuar Ukrainën, ose nëse Ukraina vendos që t’i vendosë në shënjestër barkat ruse atje, atëherë Gjeorgjia do të bëhej palë e luftës, sipas Natia Seskuria-s Nga Instituti i Bashkuar Mbretëror i Shërbimeve.

“Nëse Putini ka nevojë që Gjeorgjia të përfshihet ose në disa mënyra të tërhiqet në këtë luftë, ai do ta bëjë këtë, nëse është në interesin e tij dhe ai i ka të gjitha kapacitetet për t’i bërë presion Gjeorgjisë, fatkeqësisht”- tha ajo.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme