Banorët e Gazës në zor nga vapa e ndërprerjet e gjata të rrymës
Për palestinezët që jetojnë në Rripin e ngarkuar të Gazës, një valë e vapës së madhe është bërë edhe më e vështirë nga ndërprerjet e rrymës deri në dhjetë orë në ditë.
“Flladitësja është thyer, bateria nuk është duke punuar dhe po e flladitim veten me tabakë”, tha Alaa Zidan përderisa po qëndronte në shtëpi me bashkëshortin e saj në zonën jugore, Khan Younis, kur një flladitëse e ndryshkur elektrike po qëndronte e varur në tavan pa lëvizur.
“Nuk mund të hamë ose të flemë për shkak të vapës”, tha ajo.
Mbi 2.3 milionë njerëz janë të dyndur në rripin e ngushtë të tokës së shtrirë mes Egjiptit e Izraelit, zonë që normalisht do të kishte nevojë për rreth 500 megavatë rrymë në ditë gjatë verës, sipas zyrtarëve lokalë. Zona merr 120 megavatë rrymë nga Izraeli, ndërsa brenda zonës prodhohen edhe 60 megavatë.
Mohammad Thabit nga kompania për shpërndarje të rrymës në Gaza tha në prill, kur moti ishte mesatar, se mund të ofrojnë furnizim me rrymë 20 orë në ditë, por kapaciteti i qendrës për prodhimin e rrymës është prekur nga kërkesa më e lartë për shkak të temperaturave të larta dhe rritja e çmimeve të energjisë.
“Tash për tash nuk mund të ofrojmë më shumë se 10 orë rrymë në ditë për njerëzit dhe institucionet publike, që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në të gjitha aspektet e jetës në Gaza”, tha Thabit.
Të hollat për karburantin e centralit të rrymës vijnë nga Katari, që jep 10 milionë dollarë për ta blerë lëndën nga Izraeli, por rritja e çmimit të derivateve ka shkaktuar mungesë të rreth 3 milionë dollarëve në kompaninë lokale.
Ndërprerjet e rrymës kanë vazhduar që të shkaktojnë pakënaqësi me Hamasin, grup që e qeveris zonën dhe që e fajëson bllokadën 15-vjeçare izraelite për shkatërrimin e ekonomisë së Gazës.
Disa shtëpi dhe biznese mbështeten te gjeneratorët për t’i anashkaluar ndërprerjet e gjata të energjisë. Ata që nuk kanë mundësi financiare për të përdorur gjeneratorë të shtrenjtë, përdorin drita të thjeshta që funksionojnë me bateri.
Në vapën e madhe, disa njerëz i vizitojnë pishinat, ku një biletë mund të kushtojë rreth dy dollarë, ndërsa familjet më të pasura marrin me qira pishina private, që mund t’u kushtojnë nga 86 deri në 289 dollarë në muaj.
Të tjerët duhet të gjejnë alternativa më të lira. Zaki Abu Mansour, 60 vjeç, dhe familja e tij 10-anëtarëshe i ikën vapës në shtëpi për t’u ulur në plazh, zbavitja e vetme pa pagesë për shumicën e banorëve të Gazës.
“Njerëzit në botë, për shembull në Arabinë Saudite, i kanë rrugët e shtëpitë me ajër të kondicionuar. Këtu po vlon, toka po vlon, shtëpitë po vlojnë”, tha ai./Nacionale