Banka Botërore do t’i japë Ukrainës 1,5 miliard dollarë për rindërtim
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha të premten se vendi i tij do të pranojë 1,5 miliard dollar nga Banka Botërore për t’i mbështetur rindërtimin dhe rimëkëmbjen.
Fondet do të ofrohen me garanci nga qeveria japoneze dhe do të ndahen për t’i përkrahur sigurinë sociale dhe zhvillimin ekonomik, tha kryeministri ukrainas, raporton agjencia “Reuters”.
“Në veçanti, huaja do ta ndihmojë përkrahjen e subvencioneve për njerëzit e zhvendosur brenda vendit dhe pagesat e pensioneve”- shtoi ai.
Ukraina varet nga ndihma financiare e partnerëve të huaj që ta mbulojë deficitin buxhetor. Të enjten, bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar e përfundoi shqyrtimin e huas për Kievin, duke I lejuar Ukrainës që të tërhiqte menjëherë 890 milionë dollarë për ta mbështetur buxhetin.
Qeveria ukrainase shpreson për një rimëkëmbje modeste ekonomike këtë vit, pasi ekonomia u tkurr për rreth një të tretën më 2022 për shkak të luftës dhe është duke punuar me partnerët e huaj për ta siguruar financimin për të ashtuquajturën “rimëkëmbje e shpejtë”.
Ukraina është duke rindërtuar shkolla, spitale, rrugë dhe ura dhe duke bërë riparime në sektorin e energjisë pavarësisht nga luftimet e vazhdueshme në pjesët jugore dhe lindore të vendit.
