Bandat e armatosura vrasin të paktën 160 njerëz në Nigeri
Grupet e armatosura kanë vrarë të paktën 160 persona në pjesën qendrore të Nigerisë gjatë disa sulmeve në fshatra, thanë të hënën disa zyrtarë të qeverisë lokale.
Kjo shifër paraqet rritje të madhe në krahasim me numrin fillestar për të cilin raportoi ushtria të dielën, kur tha se 16 persona ishin vrarë në një rajon të goditur nga tensionet e gjata etnike e fetare, raporton gazeta “The Guardian”.
“113 persona janë konfirmuar të vrarë, pasi armiqësitë e së shtunës vazhduan deri në orët e hershme të së hënës”- i tha agjencisë AFP Monday Kassah, udhëheqës i qeverisë lokale në Bokkos.
Ai shtoi se grupet e armatosura, që nga banorët lokalë quhen banditë, nisën sulme “të bashkërenduara mirë” në “jo më pak se 20 komunitete të ndryshme” dhe ua vunë flakën shtëpive.
“Gjetëm më shumë se 300 persona të plagosur”, të cilët u dërguan në spitale në Bokkos, Jos e Barkin Ladi, tha ky zyrtar.
Sipas një shifre të përkohshme të raportuar nga Kryqi i Kuq, raportohet për 104 vdekje në 18 fshatra të rajonit Bokkos.
Për të paktën 50 njerëz të vdekur u raportua edhe në disa fshatra të zonës Barkin Ladi, sipas Dickson Chollom-it, anëtar i parlamentit shtetëror.
Ai i dënoi këto sulme dhe u bëri thirrje autoriteteve që të veprojnë shpejt. “Nuk do të dorëzohemi para taktikave të këtyre tregtarëve të vdekjes. Ne jemi të bashkuar në ndjekjen e drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme”- tha deputeti Chollom.
Pjesët veriperëndimore e qendrore të Nigerisë për kohë të gjatë janë terrorizuar nga grupet e banditëve që operojnë nga baza që ndodhen thellë në pyje dhe bastisin fshatra për të plaçkitur pasuri e për të rrëmbyer banorë që pastaj të kërkojnë haraç për lirimin e tyre.
Konkurrenca për sigurimin e burimeve natyrore mes barinjve shtegtues e bujqve, e ashpërsuar nga rritja e shpejtë e popullsisë dhe presionet e klimës, gjithashtu i ka përkeqësuar tensionet dhe ka nxitur dhunë.