“Axios”: Izraeli ia ka paraqitur ShBA-së kërkesat për t’i dhënë fund luftës në Liban - NACIONALE

“Axios”: Izraeli ia ka paraqitur ShBA-së kërkesat për t’i dhënë fund luftës në Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli iu dha Shteteve të Bashkuara javën e kaluar një dokument me kushtet e tij për një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Liban dhe për ta lejuar kthimin në shtëpi të civilëve të zhvendosur nga të dyja anët e kufirit, i thanë uebfaqes amerikane të lajmeve, “Axios”, dy zyrtarë amerikanë dhe dy zyrtarë izraelitë.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ia dha letrën Shtëpisë së Bardhë para vizitës së emisarit të presidentit Joe Biden, Amos Hochstein, të hënën në Bejrut për të diskutuar një zgjidhje diplomatike për konfliktin, thanë zyrtarët izraelitë.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë i thanë uebfaqes “Axios” se ministri izraelit për Punë Strategjike, Ron Dermer, që është njeri i besuar i Netanyahut, ia dërgoi dokumentin emisarit Hochstein të enjten.

Zyrtarët izraelitë thanë se letra doli nga diskutimet që ministri Dermer i kishte me Ministrinë e Mbrojtjes të Izraelit dhe me ushtrinë izraelite për parimet që Izraeli i kërkon si pjesë të çfarëdo zgjidhjeje diplomatike për t’i dhënë fund luftës me Hezbollahun.

Njëra nga kërkesat e Izraelit është që ushtria izraelite të lejohet që të përfshihet në “zbatim aktiv” për t’u siguruar që Hezbollahu nuk do të armatoset dhe nuk do ta rindërtojë infrastrukturën e vet ushtarake në zonat në jug të Libanit, që ndodhen afër kufirit, tha një zyrtar izraelit.

Ai shtoi se Izraeli gjithashtu kërkon që forca e tij ajrore ta ketë lirinë për të operuar në hapësirën ajrore të Libanit.

Megjithatë, këto dy kërkesa bien ndesh me Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën thuhet se Forcat e Armatosura Libaneze dhe Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) i zbatojnë armëpushimet mes Izraelit e Hezbollahut.

“Ne po flasim për [Rezolutën] 1701 me zbatim të shtuar. Porosia ynë kryesore është që nëse ushtria libaneze dhe UNIFIL-I bëjnë më shumë, ushtria izraelite do të bëjë më pak dhe anasjelltas” – tha zyrtari izraelit.

Një zyrtar amerikan tha se ka shumë pak gjasa që Libani dhe komuniteti ndërkombëtar të pajtohen me këto kushte, të cilat do ta minonin në masë dramatike sovranitetin e Libanit.

Shtëpia e Bardhë dhe ambasada izraelite në Uashington refuzuan që të komentonin./Nacionale

Lajme të ngjashme