Avancojnë bisedimet Izrael – Hamas, shkëmbehen listat e atyre që mund të lirohen
Bisedimet e ndërmjetësuara mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës, që do ta përfshinte lirimin e pengjeve izraelite, kanë avancuar deri në pikën ku palët janë duke i diskutuar listat e atyre që do të liroheshin, sipas një raportimi të hënën.
Mediumi nga Katari, “al-Araby al-Jadeed”, citoi një burim të afërt me zhvillimet të ketë thënë se një delegacion i Hamasit kishte qenë në Kajro një ditë më parë dhe kishte dërguar një listë të pengjeve të moshuara ose me gjendje jo të mirë shëndetësore që do të liroheshin gjatë fazave fillestare të një armëpushimi të propozuar. Për më tepër, ata i dhanë emrat e katër pengjeve me shtetësi amerikane, të cilët nuk bënin pjesë në kategorinë e mëhershme.
Disa pengje që po mbahen ende në Gaza kanë shtetësi të dyfishtë amerikano-izraelite. Katër prej tyre janë shpallur të vdekur nga Izraeli, prandaj është e paqartë se si katër mund të jenë në listën e raportuar, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Hamasi u dha egjiptianëve edhe një listë të të burgosurve palestinezë që janë duke u mbajtur në Izrael, të cilët dëshiron të lirohen në këmbim të pengjeve. Lista është duke u shqyrtuar nga Izraeli, thuhet në raportimin e mediumit nga Katari, dhe një delegacion negociues izraelit pritet të arrijë në Kajro më vonë të hënën.
Diskutimet për atë se kush do të lirohej cilësohen si fazë e avancuar e bisedimeve, pasi në fazat e mëhershme është diskutuar për ndërprerjen e luftimeve dhe mbajtjen e armëpushimit në fuqi.
Për më shumë se një vit, disa valë bisedimesh kanë ngecur dhe kanë dështuar për ta vazhduar marrëveshjen e fundit të nëntorit të vitit të kaluar, kur 105 pengje ishin liruar dhe ishte zbatuar armëpushim 1-javor.
Izraeli beson se 96 prej 251 pengjeve të rrëmbyera më 7 tetor 2023 ndodhen ende në Gaza, përfshirë trupat e të paktën 35 të vdekurve të konfirmuar nga ushtria izraelite. Gjatë 14 muajve të kaluar, trupat izraelite kanë shpëtuar tetë pengje dhe i kanë tërhequr trupat e 38 të tjerëve./Nacionale