Autoritetet kineze bëjnë thirrje për martesë e shtim në “mosha të duhura” - NACIONALE

Autoritetet kineze bëjnë thirrje për martesë e shtim në “mosha të duhura”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës do të përqendrohet në më shumë përpjekje për mbrojtjen e martesës dhe lindjes së fëmijëve në “mosha të duhura”, tha një zyrtar, përderisa autoritetet po mundohen që ta rrisin shkallën e lindjeve që po bie dhe po shkakton tkurrje të popullsisë.

Yu Xuejun, nëndrejtor i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, tha se ky institucion gjithashtu do të bëjë thirrje për përgjegjësi të përbashkëta të prindërimit për t’i udhëzuar të rinjtë drejt “perspektivave pozitive për martesën, lindjen e fëmijëve dhe familjen”, raportoi të enjten gazeta kineze në gjuhën angleze, “Global Times”, që përkrahet nga shteti.

Zyrtari kinez shtoi se kjo do të ndihmonte që të ushqehet “një kulturë e re për martesën dhe lindjen e fëmijëve”, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas ligjit, burrat kinezë mund të martohen vetëm pas moshës 22-vjeçare, ndërsa gratë pas moshës 20-vjeçare.

Kjo lëvizje vjen kur Pekini po mundohet që të nxisë më shumë gra për të lindur fëmijë, pasi numri i banorëve të Kinës u zvogëlua për vitin e dytë rresht më 2023, ndërsa shifra e lindjeve ra në nivel rekord të ulët.

Shumë gra po vendosin që të mos kenë fare fëmijë për shkak të kostos së larë për kujdesin ndaj tyre, mungesës së gatishmërisë për t’u martuar ose për ta mbajtur pezull karrierën në një shoqëri tradicionale ku ato ende shihen si kujdestaret kryesore të fëmijëve dhe ku diskriminimi gjinor mbetet i përhapur.

Numri i martesave në pjesën e parë të këtij viti ra në nivelin më të ulët që nga viti 2013, sipas të dhënave zyrtare.

Një pjesë e madhe e tkurrjes demografike të Kinës është rezultat i politikës për një fëmijë, të zbatuar gjatë periudhës 1980 – 2015 si dhe kostos së lartë për shkollimin, që i ka nxitur kinezët që të mos kenë më shumë se një fëmijë ose të mos kenë fare./Nacionale

Lajme të ngjashme