Autoritet ruse mbajnë zgjedhje rajonale në pjesët e pushtuara të Ukrainës - NACIONALE

Autoritet ruse mbajnë zgjedhje rajonale në pjesët e pushtuara të Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet e instaluara nga Rusia e nisën të enjten mbajtjen e zgjedhjeve rajonale në pjesët e Ukrainës që Rusia i shpalli të vetat vitin e kaluar, në përpjekje për ta betonuar autoritetin e Moskës në ato që i quaj “territore të reja” pavarësisht nga konflikti i vazhdueshëm.

Rusia nuk e kontrollon plotësisht asnjërin nga katër rajonet ku po mbahen zgjedhjet rajonale – Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson. Bashkë me Krimenë e aneksuar më 2014, këto pjesë përbëjnë gati një të pestën e territorit të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.

Tri të katërtat e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e dënuan atë që e quajtën “përpjekje ilegale për aneksim” të katër rajoneve ukrainase nga Rusia përmes votimit në tetorin e vitit të kaluar.

Zyrtarët ukrainas thonë se edhe zgjedhjet në ato pjesë janë të paligjshme dhe tregojnë se pse është e pamundshme që të zhvillohen bisedime të paqes me Moskën derisa Rusia t’i tërheqë të gjithë ushtarët nga territori ukrainas.

Në katër rajonet ku po mbahen zgjedhjet, guvernatorët e zgjedhur nga Moska, përzierje e politikanëve veteranë pro-rusë dhe të tjerë të njohur në zona lokale, po synojnë mandate të plota në këtë garë, e cila përmbyllet më 10 shtator, kur Rusia mban zgjedhje rajonale.

Në qytetin e Mariupolit në Donetsk, që u mor nën kontroll nga Rusia në maj të vitit të kaluar pas një rrethimi të gjatë, agjencia “Reuters” pa zyrtarë zgjedhorë duke vendosur një kabinë të përkohshme votimi të enjten në oborrin e një kompleksi të banimit.

Një grup banorësh dolën për të votuar, duke i treguar para zyrtarëve pasaportat ruse të lëshuara rishtazi, ndërsa policët qëndronin duke e përcjellë situatën.

Kryetari ukrainas në ekzil i Mariupolit, Vadym Boichenko, i tha agjencisë “Reuters” se persona nga ky qytet i kishin thënë se nuk kishte lista të votuesve e as lista të kandidatëve.

“Është e qartë se nuk ka besim nga njerëzit ndaj këtij procesi, i cili duhet të quhet zgjedhje e rreme”- tha ai në një intervistë në Kiev, duke shtuar se pret përsëritje të asaj që ndodhi vitin e kaluar gjatë votimit për aneksim.

Lajme të ngjashme