Austria dëbon tre diplomatë rus, i akuzon për spiunazh - NACIONALE

Austria dëbon tre diplomatë rus, i akuzon për spiunazh

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Austria ka dëbuar tre diplomatë rus, duke i akuzuar për spiunazh. Diplomatët, të cilët tashmë janë larguar nga shteti evropian, përdorën “një mal me antena” të instaluara në kulmet e ndërtesave diplomatike për të mbledhur të dhëna, tha kryediplomatja austriake, Beate Meinl-Reisinger.

Në një raport të televizionit ORF, i konfirmuar nga Ministria e Jashtme, thuhet se antenat ndodheshin në kulmin e Ambasadës së Rusisë në Vjenë dhe në një kompleks diplomatik rus, transmeton televizioni BBC.

“Ne e cilësojmë këtë lëvizjen më të re jomiqësore nga autoritetet austriake si tërësisht të pajustifikuar, krejtësisht të motivuar politikisht dhe kategorikisht të papranueshme” – tha në një deklaratë Ambasada e Rusisë.

“Moska pa dyshim se do t’u kundërpërgjigjet ashpër këtyre veprimeve të shqyrtuara gabimisht nga pala austriake” – thuhet më tej.

Sipas ORF-së, antenat për një kohë të gjatë kanë qenë në vëmendjen e shërbimeve austriake të inteligjencës, sepse ato i kanë mundësuar Rusisë që të kapë të dhëna që janë dërguar përmes internetit satelitor nga organizata të ndryshme, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.

Ministrja Meinl-Reisinger tha se “spiunazhi është çështje e sigurisë” për vendin e saj dhe se është “e papranueshme që imuniteti diplomatik të përdoret për të kryer spiunazh”.

Ky është incidenti më i ri në një varg incidentesh që kanë përfshirë individë të akuzuar për spiunazh për Rusinë në dëm të Austrisë dhe Gjermanisë.

Në janar, një ish-zyrtar i inteligjencës doli në gjyq në Vjenë në atë që u cilësua si gjykimi më i madh për spiunazh në vend në vitet e fundit./Nacionale

Lajme të ngjashme