Australia e kritikon Izraelin: Nëse s’e ndryshon drejtimin, do të vazhdojë humbja e përkrahjes
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha të martën se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po e minon vendin e tij me qasjen e vet ndaj luftës në Gaza dhe i bëri thirrje Izraelit që ta ndryshojë drejtimin, në të kundërtën do të humbë edhe më shumë mbështetje ndërkombëtare.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të shtunën se Netanyahu “më shumë po e lëndon Izraelin sesa që po e ndihmon” përmes zhvillimit të luftës në një mënyrë që bie ndesh me vlerat e vendit. Netanyahu u kundërpërgjigj duke thënë publikisht se Bideni “e ka gabim”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Kur u pyet për komentet e Bidenit të martën, kryediplomatja australiane u pajtua me të dhe tha se përkrahja ndërkombëtare për Izraelin do të vazhdojë që të dobësohet, nëse vendi nuk e adreson “katastrofën humanitare” në Gaza.
“7 tetori ishte sulm terrorist dhe bota ishte me të drejtë shumë zemërdhembshur dhe në solidaritet me Izraelin atë kohë” – tha të martën zonja Wong në Samitin Biznesor Australian për Analizë Financiare.
“Mendoj se bota është e tmerruar me situatën e tanishme… dhe unë do të thosha se përderisa Izraeli nuk e ndryshon drejtimin e vet, do të vazhdojë që të humbë përkrahje” – shtoi ajo.
Komentet e reja të ministres australiane janë pjesë e një kori në rritje të zërave edhe në mesin e aleatëve të vjetër të Izraelit që po i bëjnë thirrje për ta adresuar krizën humanitare në Gaza, përderisa ky shtet po bën plane për një sulm në qytetin jugor të Gazës, Rafah, bastion i Hamasit.
Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re muajin e kaluar, përmes një deklarate të përbashkët, bënë thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar. Ministrja australiane tha se këto tri shtete u bënë bashkë për t’i “zmadhuar” zërat e tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të hënën bëri thirrje për armëpushim dhe tha se sulmi i paralajmëruar ndaj qytetit Rafah mund t’i vendosë njerëzit e Gazës “në një rreth edhe më të thellë të ferrit”.
Ai gjithashtu bëri thirrje për lirim të pengjeve izraelite, që po mbahen nga Hamasi, dhe për largim të “të gjitha pengesave për ta siguruar shpërndarjen e ndihmës jetëshpëtuese me shpejtësinë dhe shkallën masive që kërkohen” në Gaza.