Australia do t’ua lejojë punëtorëve shpërfilljen e telefonatave të shefit pas orarit të punës
Australia do të miratojë ligje që ua japin punëtorëve të drejtën për t’i shpërfillur telefonatat dhe mesazhet e paarsyeshme nga shefat e tyre jashtë orarit të punës pa ndëshkim, me gjoba të mundshme për punëdhënësit që e shkelin këtë rregull.
“E drejta për shkëputje” është pjesë e një vargu ndryshimesh në ligjet për marrëdhënie industriale që janë propozuar nga qeveria federale përmes një projektligji parlamentar, për të cilin thotë se do t’i mbronte më mirë të drejtat e punëtorëve dhe do të ndihmonte për rikthimin e baraspeshës punë – jetë, raporton agjencia “Reuters”.
Ligje të ngjashme, të cilat u japin punëtorëve të drejtë për t’i ndalur telefonat, tashmë janë në fuqi në Francë, Spanjë e shtete të tjera të Bashkimit Evropian.
Shumica e senatorëve tashmë kanë shprehur përkrahje për legjislacionin e ri, tha të mërkurën në një deklaratë ministri i Punësimit, Tony Burke, anëtar i Partisë së Punës.
Dispozitat e projektligjit e ndalojnë punën e papaguar jashtë orarit përmes së drejtës për t’u shkëputur nga kontakti i paarsyeshëm jashtë orarit të punës, tha ministri australian.
“Ajo që ne thjesht po e themi është që dikush që nuk paguhet 24 orë në ditë nuk duhet të penalizohet, nëse nuk është në rrjet dhe i qasshëm 24 orë në ditë” – u tha të mërkurën gazetarëve kryeministri i Australisë, Anthony Albanese.
Projektligji pritet të paraqitet në Kuvend më vonë këtë javë. Në projektligjin e ri përfshihen edhe dispozita të tjera, si një rrugë më e qartë nga puna e përkohshme te puna e përhershme dhe standardet minimale për punëtorë të përkohshëm dhe drejtues kamionësh.
Disa politikanë, grupe të punëtorëve dhe udhëheqës të korporatave paralajmëruan se dispozita për të drejtën për t’u shkëputur përbën tejkalim dhe do ta minonte lëvizjen drejt punës fleksibile dhe konkurrencës ndikuese.
Të Gjelbrit e së majtës, të cilët e përkrahin rregullën e re dhe ishin të parët që e propozuan atë vitin e kaluar, thanë se kjo është fitore e madhe për partinë. Kryetari i kësaj partie, Adam Bandt, tha se është arritur një marrëveshje mes Partisë së Punës, partive më të vogla e deputetëve të pavarur për ta përkrahur projektligjin.
“Australianët punojnë mesatarisht gjashtë javë punë të papaguar jashtë orarit çdo vit” – shtoi ai.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli