ATR-72: I përfshirë në disa aksidente fatale, çka dihet për tipin e avionit që u rrëzua dje në Brazil?
Avioni i përfshirë në aksidentin fatal në Brazil ka qenë i tipit ATR-72 dhe i vjetër 14 vjet. I ndëruar nga një sipërmarrje e përbashkët franko-italiane, ky lloj avionësh është në shërbim që nga viti 1989. Ka kapacitet për bartjen e deri 78 pasagjerëve dhe prodhuesi i tij, e përshkruan si “avionin rajonal më efikas në karburant”.
Ky tip i aeroplanëve është i njohur për fluturime të brendshme në Indi, Brazil, Zelandë të Re, Tajland, Rusi dhe në ishujt Canary të Spanjës.
Si shumë prej avionëve që operojnë për dekada, ATR 72 ka qenë i përfshirë në disa tragjedi përgjatë historisë së tij 35-vjeçare. Ngjarja e nëntë gushtit 2024 ka qenë e 12-ta, shkruan “The Independent”, transmeton Naconale.
I pari, kishte ndodhur në vitin 1994 gjatë një fluturimi të brendshëm me “American Eagle” nga Indianapolis në Çikago. Krahët u ngrinë akull, derisa avioni ishte në një “gjendje mbajtje". 68 pasagjerë dhe ekipi vdiqën.
Aksidenti tjetër ka ndodhur më shumë se një dekadë më vonë, në brigjet e Palermos gjatë vitit 2005. Këtu përfshihej një avion Tuninter që po fluturonte nga Bari, Itali në Tunizi. Inxhinierët gabimisht kishin vendosur një matës karburanti të destinuar për një mjet më të vogël, ATR-42. Kështu, avioni mbeti pa karburant dhe kishte rënë me një shpejtësi të madhe në Mesdhe duke lënë të vdekur 16 persona. 23 kishin mbijetuar.
Aksidentet e tjera të këtij lloji të avionit, kishin ndodhur ne fluturime të brendshme në Tajlandë, Kubë, Rusi, Laos dhe Tajvan – ku dy ATS-72 që i përkisnin TransAsia Airways u rrëzuan brenda tetë muajsh, në korrik 2014 dhe shkurt 2015.
Dy aksidentet e fundit fatale para tragjedisë në Brazil, ishin po ashtu fluturime të brendshme; në Iran gjatë vitit 2018 ku vdiqën 65 persona dhe në Nepal gjatë vitit 2023, ku vdiqën 72 persona.
Ndryshe, 61 pasagjerët e avionit në Brazil që u rrëzua të premten kanë vdekur.
Kjo u konfirmua nga presidenti i shtetit:
“Fillimisht, duhet të jem bartësi i lajmeve të këqija dhe dua të kërkoj nga të gjithë që të kemi një minutë heshtje, sepse një avion sapo është rrëzuar në Vinhedo, Sao Paulo, me 58 pasagjerë dhe katër anëtarë ekuipazhi, dhe siç duket, që të gjithë kanë vdekur…” – ka thënë ai.